Serena Williams para një misioni të (pa)mundur

Tenis 26 Korrik 2019 12:33

Tenistja amerikane Serena Williams, fituese e 23 grand slam në karrierën e saj, është një trofe larg rekordit të Margaret Court. Një rekord që duket një tabu për tenisten 37-vjeçare, që pas shtatëzanisë ka humbur 3 finale radhazi (2 herë në Wimbledon dhe një herë në US Open).

“Duhet t’i marr gjërat me qetësi, sidomos në finale. Unë jam e kënaqur me ecurinë dhe po arrij rezultate të mira për moshën time. 23 fitore në grand slam nuk janë pak, por kam mundësi për më shumë. Problem është të barazoj rekordin, pasi atëherë do të vijë edhe trofeu tjetër, duke vendosur rekordin e ri”, tha Serena Williams.

Amerikania po përgatitet për grand slam-in e shtëpisë, atë të US Open, që nis në fund të gushtit. Ndërkohë që, pritet të marrë pjesë në dy turnetë Masters që zhvillohen në Montreal e Sinsinati tri javët në vijim. “Çdo gjë me radhë. Mezi pres të arrij te trofeu, por duhet të qëndroj me këmbë në tokë dhe përgatitem mirë nga ndeshja në ndeshje”, tha Williams.