Sfidohet Khabibi: “Kur ai të jetë gati, e pres në kafaz”

Sporte luftarake 11 Tetor 2018 14:14

Nate Diaz ka mbetur pa rival pas tërheqjes për arsye dëmtimi të Dustin Poirier dhe nuk do të ngjitet në kafaz në eventin UFC-230, që do të zhvillohet në “Madison Square Garden” të New Yorkut më 3 nëntor.

Diaz do të rikthehej në kafaz pas më shumë se dy vitesh pushim, që nga revanshi i humbur me Conor McGregor, në gusht të 2016-ës.

Dëmtimi i Poirier ka prishur si planet e UFC-së ashtu dhe të Nate Diaz, por ky i fundit nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe ka një ide më të mirë.

Të zhvillojë sfidën e radhës ndaj Khabib Nurmagomedov, i cili sapo mbrojti titullin kampion bote në peshën e lehtë, pas fitores me “submission” në raundin e katërt ndaj Conor McGregor.

I pyetur se çfarë ka ndërmend të bëjë tani që nuk ka një rival, Nate Diaz tha: “Kur Khabib të jetë gati, e pres në kafaz që të duelojmë së bashku”.

Një duel mes Nurmagomedov dhe Nate Diaz do të ishte një tjetër përballje e madhe për UFC-në, pasi bëhet fjalë për dy sportistë që kanë arritur ta mundin McGregorin.