Shabani ka paditur Ferizajn – por është harruar nga FFK dhe drejtuesit e klubit

Futboll 14 Korrik 2020 14:00

Ish mesfushori dhe kapiteni i KF Ferizajt, Egzon Shabani ende nuk ka zgjidhur problemet me klubin ferizajas. Shabani një një prononcim për Insportin ka konfirmuar se ka paditur klubin në FFK dhe se tash e disa muaj nuk është paguar.

Arbnor Luta

Shabani ishte pjesë e Ferizajt në pjesën e parë të kampionatin por një mos marrëveshje me trajnerin e atëhershëm, Bekim Isufi i ka kushtuar shumë.

Mesfushori, 30 vjeçar, është ankuar edhe në neglizhencën e Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi janë bërë një muaj që ka dorëzuar padinë dhe nuk është marrë asnjë hap për të zgjidhur çështjen e tij. “Nuk më është bërë asnjë pagesë nga Ferizaj tash e disa muaj. Për këtë arsye kam vendosur që të bëj një padi në Federatën e Futbollit të Kosovës, duke e dërguar të gjithë dokumentacion që iu duhet. Më kanë thanë që pas një jave mblidhet komisioni për ta shqyrtuar lëndën, megjithatë po bëhet një muaj dhe nuk kam pranuar asnjë përgjigje nga federata”.

Egzon Shabani me fanellën e KF Ferizajt

Ish kapiteni i “Ujqërve” e ka quajtur si pa drejtësi të madhe atë se çfarë i ka bërë klubi. Sipas tij, e tëra ka ndodhur pas një fjalosje me trajnerin Bekim Isufi pas ndeshjes me Flamurtartin.“Më është  bërë një pa drejtësi e madhe nga kubi i Ferizaj për një fjalosje me trajnerin pas lojës me Flamurtarin. Ditën pas ndeshjes në stërvitje jam informuar nga ndihmës trajneri që të mos stërvitem po ta pres kryesin se ata e kanë lajmëruar që unë mos të stërvitesha por t’i pres ata që të bisedojmë, unë kam prit ata nuk kanë ardhur”.

Shabani për Insportin ka treguar se ishte befasuar për mënyrën se si ishte njotuar për suspendimin e tij nëpërmjet një mesazhi telefonik. “Ditën tjetër kryesia kanë vendos që klubi të udhëtojë në Shqipëri për përgatitje dhe po në atë ditë më është dhënë lajmi nëpërmjet një mesazhi telefonik nga drejtori i klubit që nuk mundem të udhëtojë dhe se jam suspenduar për një kohë të pacaktuar. Gjatë kohës sa ishin në Shqipëri, unë kam stërvitur me juniorët. Po thuajse çdo ditë kam kërkuar takim me kryesinë për të ditur arsyet e suspendimit, por përfundoi kampionati duke më thënë “nesër kemi mbledhje dhe do të vendosim”.

Shabani sezonin e kaluar për Ferizaj ishte ndër futbollistët kyç të skuadrës duke arritur mbijetesën për këtë sezon.

Klubi i Ferizaj pesë ditë para se të fillonte ky sezon kishte njoftuar se kanë rinovuar me Shabanin edhe për dy vite, pasi ky i fundit ka refuzuar ofertat nga klubet tjera të Superligës për të qëndruar besnik ndaj skuadrës së zemrës.

Megjithatë, ky vendim i tij po del se ka qenë i gabuar duke i kushtuar me mos paraqitje në pjesën më të madhe të sezonit.

Aktualisht, Shabani është pjesë e KF Vitisë që bën gara në Ligën e Parë. Gjatë karrierës ai ka luajtur për Vushtrrinë, Flamurtarin, Llapin, Ballkanin dhe Gjilanin.

Ferizaj nga sezoni i ardhshëm do të bëj gara në Ligën e Parë të Kosovës, pasi nuk arriti të siguronte mbetjen në elitën e futbollit tonë.

Kur kanë mbetur edhe tri xhiro për të përfunduar kampionati, “Ujqërit” renditen në pozitën e dhjetë me 29 pikë. /Insporti.com/

-->