Shameti lëndohet përsëri, udhëton për në Tiranë

Futboll 04 Shkurt 2020 17:26

Futbollisti shqiptar i transferuar me bujë të madhe në SC Gjilani, Ylli Shameti është lënduar përsëri, duke i shkaktuar kokëdhimbje trajnerit Gentjan Mezanit dhe drejtuesve të klubit pak para se të fillon stinori pranveror i Superligës, shkruan Insporti.com.

Shameti u transferua nga Kukësi me bujë, por më shumë ka vizituar infermierinë e klubit se sa fushën e gjelbërt të futbollit. Mbrojtësi shqiptar mungoi po thuajse tërë stinorin vjeshtor për shkak të lëndimit.

Ai ishte pjesë e fazës përgatitore që Gjilani e zhvilloi në Turqi, por me t’u kthyer në Kosovë është lënduar.

 

Ish kapiteni i Kukësit është lënduar në duelin miqësorë të cilin ‘kuqebardhët’ e zhvilluan në vikend përballë skuadrës së Vitisë (1-1). Në rrjete sociale, ai e ka bërë të ditur se ka udhëtuar për në Tiranë, për të filluar rikuperimin nga lëndimi.

Me shumë gjasë, Mezani nuk do të mund të llogaritë “yllin” e tij për ndeshjen çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës që zhvillohet këtë fundjavë dhe derbin me rivalin lokal, Dritën, ndeshjen hapëse të stinorit pranveror të Superligës.

Shameti besohet se është ndër futbollistët më të paguar në klubin gjilanas. /Insporti.com/

 

-->