Shaqiri tregon si e “mundoi” Salahun vite më parë

Futboll 19 Nëntor 2018 11:46

Xherdan Shaqiri, i cili mbrëmë shkëlqeu me kombëtaren e Zvicrës duke qenë i përfshirë direkt në aksionet që rezultuan me shënimin e tre golave të këtij ekipi, nga pesë sa shënoi gjithsej, në një intervistë për mediat e Zvicrës ka zbuluar edhe një detaj shumë interesant lidhur me të dhe yllin kryesor të ekipit të Liverpoolit dhe të futbollit afrikan Mohamed Salah.

Miqësia me Salah është ajo më e ngushta që Shaqiri ka në ekipin e Liverpoolit dhe kjo nuk fshihet. Dyshja është afruar në Liverpool, raportojnë mediat, por njohja e tyre daton që në kohët e Baselit, kur Shaqiri ishte një yll vendës, ndërsa egjiptiani ende i panjohur. Lidhur me takimin e tyre, Shaqiri tregoi edhe një prapaskenë: “Kur u takuam për herë të parë në Liverpool, Momo më tha se ishim parë në Basel. Mua nuk më kujtohej momenti, ndërsa atij po, sepse i kisha kaluar dy herë topin poshtë këmbëve në një ndeshje prove të tijën”, transmeton Insporti duke cituar mediat zvicerane.

Madje, Shaqiri në këtë intervistë ka pranuar se koha e pakët në Liverpul nuk i ka mundësuar të njohë imtësisht qytetin, por e ka afruar futbollistin me grupin muzikor “Beatles”.

“Vërtet dëgjoj muzikë të ndryshme, por “Beatles” i njihja që përpara se të transferohesha në Angli. Ata njihen si katër fantastikët, ndaj një herë kam postuar në “Instagram” një fotografi timen me Firminon, Salahun dhe Manenë, duke shkruar poshtë “Katër fantastikët’”, tregoi 27-vjeçari, i lindur në Zhegër, që sivjet po vlerësohet si një nga transferet më të qëlluara në Premier League.

-->