Sharapova tregon çelësin e suksesit

Tenis 18 Shtator 2019 15:58

Edhe pse nuk po kalon një moment shumë pozitiv në fushë si profesioniste, tenistja Maria Sharapova gëzon ende popullaritet . Ajo është pikë referimi si në fushë ashtu dhe jashtë saj, teksa popullariteti i saj vijon në nivele të larta. Kjo edhe falë suksesit të saj në fushën e menaxhimit të biznesit të saj “Sugarpova”.

Në një intervistë për “Wall Street Journal”, tenistja ruse jep këshilla për menaxhimin e parave: “Në rastin tim, prindërit e mi kanë qenë gjithnjë shumë të kujdesshëm. Më kanë mësuar vlerat e jetës dhe parasë”, tregon Sharapova.

“Babai më ka mësuar çështjet e sportit, ndërsa mamaja në aspektin kulturor. Kjo më ka ndihmuar të formohem si njeri. Kur je i ri nuk kupton se çfarë është investimi dhe unë nuk kam studiuar kurrë ekonomi. Megjithatë, marr vendime, kryej mbledhje dhe mësoj shumë”, ka  shtuar tenistja ruse.

“Nuk mund t’u pëlqej të gjithëve, ndaj nuk u jap shumë rëndësi çdo miqësie që kam në botën e tenisit. Kur ke një objektiv në kokë gjërat e tjera nuk kanë asnjë rëndësi”, ka thënë në fund Sharapova.