SHBA-të në telashe, pesë basketbollistë refuzojnë ofertën e kombëtares për Botëror

Basketboll 23 Korrik 2019 09:03

Pasi u njoftua më parë se Bradley Beal, ylli i Washington Wizards, nuk do të jetë në dispozicion të SHBA-ve për Kupën Botërore, amerikanët tani kanë mbetur pa një tjetër shpresë.

Bëhet fjalë për Tobias Harris, basketbollistin e Philadelphia 76ers. Harris vendosi të përgatitet për sezonin e ardhshëm të NBA-së dhe nuk dëshiron të humbasë energjinë duke luajtur për një ekip që edhe pa të, ka shumë mundësi të arrijë deri tek medalja e arit.

Në këtë formë, ai bëhet lojtari i pestë që ka ftuar trajneri, Greg Popovich, por të cilët kanë refuzuar të veshin fanellën amerikane.

Para Beales dhe Harrisit, Anthony Davis, James Harden dhe CJ McCollum konfirmuan se nuk do të jenë pjesë e botërorit që do të mbahet në Kinë.

Për momentin, në ekipin e Shteteve të Bashkuara janë ftuar Damian Lillard, Kemba Walker, Donovan Mitchell, Andre Drummond, Kevin Love, Jayson Tatum, Brook Lopez, PJ Tucker, Eric Gordon, Kyle Lowry dhe Khris Middleton.

Ndryshe, botërori i basketbollit pritet të startojë më 31 gusht në kryeqytetin kinez të Pekinit. /Telegrafi

-->