Shënoi dy gola, por sulmuesi i Chelseat bëri huqjen e vitit

Futboll 05 Janar 2019 21:24

Alvaro Morata padyshim do të jetë konkurrent për humbjen më të keqe të vitit 2019, edhe pse sapo kemi hyrë në vitin e ri.

Sulmuesi spanjoll mund t’ia ketë siguruar Chelseat një vend në rundin tjetër të FA Cup me dygolëshin e tij në fitoren 2-0 ndaj Nottingham Forestit të shtunën në Londër, por rasti i humbur nga ai – edhe pse në fund u gjykua për pozitë jashtë loje – tashmë ka marrë vëmendje të madh gjithandej.

Në një ndeshje të vlefshme për rundin e tretë të FA Cup, Morata shënoi për 1-0 menjëherë në fillim të pjesës së dytë.

Por, vetëm disa minuta më vonë, spanjolli pranoi një top rreth dy metra larg portës, dhe për habi nuk ia doli ta fusë topin në rrjetë edhe pse porta ishte plotësisht boshe. Edhe sikur të shënonte, goli i tij do të anulohej për pozitë jashtë loje, megjithatë.

Sido që të jetë, Morata e përmirësoi gabimin duke shënuar një gol të bukur me kokë rreth tre minuta pas atij rasti.