Shfaqje mjeshtërore e Vettelit – lexoni detajet

Formula 1 08 Prill 2018 18:06

Sebastian Vettel i Ferrarit ka fituar garën për Shpërblimin e Madh të Bahreinit në Formula 1, duke arritur kështu fitoren e dytë në dy garat e para të këtij sezoni dhe duke u konsoliduar si lider i renditjes së shoferëve në fillim të sezonit 2018.

Kjo ka qenë gara e 200-të në karrierën e shoferi gjerman dhe fitorja në këtë jubile kaq të rëndësishëm në karrierën e tij, është shumë e veçantë, por përtej kësaj shfaqja e Vettelit sot ka qenë një prej më të mirave, nëse jo më e mira në karrierën e tij.

Gara ka qenë e shkëlqyeshme dhe është vendosur në fund, me më pak se një sekondë diferenca ndaj finlandezeit të Mercedesit Valteri Bottas, kurse i treti përfundoi Lewis Hamilton.

Vettel garën e nisi nga pole position dhe e kontrolloi rrjedhën e saj nga pozita e parë.

Mirëpo, Vetteli në këtë garë, ironikisht problemin më të madh e kishte pikërisht me kolegun e tij të ekipit Kimi Raikkonen. Kimi nisej i dyti në start, por pozitën e dytë e hunbi në kthesën e parë dhe prapa Vettelit ishte Bottas i Mercedesit.

Kjo e komplikoi strategjinë e Ferrarit, por Vetel i kishte gjërat nën kontroll edhe pas pit stopit të parë.

Hamilton në këtë garë startoi nga pozita e nëntë edhe pse në kualifikime kishte vendosur kohën e katërt më të mirë, por ishte i dënuar me pesë pozita në start për shkak të ndërrimit të kutisë së marsheve. Kjo i kishte mundësuar atij që të nisë garën me goma të buta, për dallim nga të gjithë të tjerët para tij që u nisën me super të buta dhe kjo gjë i mundësoi Hamiltonit që të realizojë taktikë me një pit stop.

Anglezi u ngjit nga pozita e nëntë në të tretën dhe përfundoi në podium duke mos lejuar që Vettel të shkëputet shumë në renditjen e shoferëve.

Taktikë të njëjtë të pit stopeve kishte zgjedhur dhe Bottas, i cili pas super të butave, në rrethin e 20-të zgjodhi goma të mesme dhe ishte i vendosur të përfundojë garën me to.

Strategjia e Vettelit ishte që të shkojë në garë me dy pit stope, por Kimi Raikkonnen, në dalje nga pit stopi i tij i dytë shkeli një mekanik të Ferrarit, të cilit i shkaktoi lëndime të rënda dhe ia pamundësoi Vettelit pit stopin e dytë.

Vettel kështu u detyrua që në 15 rrathët e fundit të vozitë në mënyrë të kujdesshme dhe të kujdeset maksimalisht për gomat e tij, duke mos humbur kohë dhe duke mos lejuar që Bottas ti afrohet.

Finlandezi iu afrua në më pak se një sekondë dhe provoi t tejkalojë në kthesën e [arë, në rrethin e fundit, por Vettel i rezistoi këtij pasi u mbrojt dy herë në mënyrë mjeshtërore paraprakisht duke manovruar me ERS dhe duke mos lejuar që Bottas të hyjë në zonën e DRS në raport me të.

Vettel fitoi, Bottas doli i dyti dhe Hamilton i treti, kurse pikë në këtë garë fituan edhe Pierre Gasly i Toro Rossos, që arriti binishin më të lartë në karrierë, më pas Magnussen, Hulkenberg, Alonso, Vandoorne, Ericsson dhe Ocon.