Shkarkohet Giampaolo, Shevchenko merr drejtimin e Milanit?

Futboll 01 Tetor 2019 15:46

Marco Giampaolo pritet të largohet nga stoli i trajnerit të Milanit, për shkak të rezultateve të dobëta, sidomos pas tri humbjeve rresht.

Milani tanimë ka pikasur disa zëvendëses të mundshëm të trajnerit të tanishëm.

Njëri prej tyre është Andriy Shevchenko, i cili ka mbërritur në qytet mbrëmjen e djeshme, për të parë sfidën e Ligës së Kampionëve mes Atalantës dhe Shakhtar Donetsk, që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro”, në të cilin ai ka shkëlqyer për disa sezone.

Ish numri 7 i Milanit është aktualisht trajner i kombëtares ukrainase dhe po shfrytëzon rastin për të parë nga afër disa nga futbollistët e Shakhtarit, ashtu si edhe për të takuar miqtë e tij, Boban e Maldinin, që janë drejtues të klubit kuqezi.

Për momentin Schevchenko është vetëm njëri, në mes të shumë emrave të përmendur të cilët mund ta zënë vendin e Giampaolos, nëse ky i fundit do të shkarkohet pas ndeshjes me Genoan, por shpejt mund të ekzaltojë ambientin kuqezi me një rikthim të bujshëm.