Shokohet Bayern Munich, mposhtet thellë nga Bochumi

Futboll 12 Shkurt 2022 17:32

Bochumi ka mposhtur Bayern Munichun me rezultat të thellë 4-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Bundesliga.

Bavarezët përjetuan një udhëtim të tmerrshëm te Bochumi, i cili ia shkaktoi humbjen më të madhe në vitet e fundit në kampionatin gjerman.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e jashtëzakonshme duke u shënuar plot pesë gola, me vendasit që befasuan të gjithë me nivelin e treguar duke shënuar katër gola, kundrejt një të Bayernit.

Megjithatë, mysafirët hapen të parët serinë e golave me anë të Robert Lewandowskit (9’), i cili shënoi për 0-1, por Christopher Antwi-Adjei (14’) barazoi shifrat në 1-1.

Ky gol i barazimit i riktheu në loje vendasit që arritën t’i shënojnë edhe ti gola të shpejtë me anë të Jurgen Locadia (38’) për 2-1, Cristian Gamboa (40’) për 3-1 dhe Gerrit Holtmann (44’) me një supergol nga distanca për 4-1.

Në pjesën e dytë, Bayerni ishte dukshëm skuadër më e mirë duke tentuar të rikthehet në lojë, por vendasit u mbajtën mirë dhe pranuan vetëm një gol për të marrë tri pikë shumë të vlefshme.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 75-të dhe ishte Lewandowski, i cili shënoi për 4-2 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj humbje, Bayerni vazhdon të mbetet në pozitën e parë me 52 pikë, ndërsa Bochumi renditet në vendin e 11-të me 28 pikë.

-->