Shou i Batatinës në cirkun e Agim Ademit

Futboll 28 Janar 2020 23:23

Dje është mbajtur Kuvendi Zgjedhor për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili zgjati po thuajse tri orë. Në këtë Kuvend u votuan anëtarët e KE me 37 vota pro, përkundër tensioneve dhe pa kënaqësive të mëdha nga disa prej delegatëve, shkruan Insporti.com.

Me 37 vota për janë zgjedhur anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv:  Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Jovic, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti, Xhelal Broja, Mirsad Çollaku, Ilaz Mjaku, Naser Ajeti, Agim Nura dhe Flamur Bunjaku.

Arbnor Luta

Aktorët kryesorë të këtij Kuvendi ishin delegati Tahir Batatina dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Prezent ishin 55 delegatë nga 59 sa ka Kuvendi, të cilët përjetuan një shou koxha të mirë nga Batatina dhe Ademi.

Shou nisi kur Ademi kërkoi votëbesimin e tij nga delegatët. Kjo lëvizje e të parit të FFK-së jo që nuk u pritë mirë nga Batatina dhe shokët e tij të opozitës, por nuk ishte pritur fare. Me një fjalë, Ademi ua bëri “shah&mat” opozitës, e cila u irritua me kërkesën e tij. Kjo bëri që Batatina të lëshoj karrigen në të cilën ishte ulur dhe të filloj shou-n para të pranishmëve që ishin aty, mesin e tyre edhe përfaqësues nga FIFA dhe UEFA. “Kryetari Agim Ademi po e shkel statutin. Atij i ka skaduar mandati më 15 janar. Në pikat e përmendura në rendin e ditës nuk përmendet votëbesimi i kryetarit. Ne kemi dhënë për futbollin dhe nuk bën dikush të na e hedh poshtë shpenzimet që i bëjmë. Në futbollin e Kosovës kanë ardhur njerëz që e duan të mirën futbollit. Më vjen keq për atë reagim, por statutin e shkeli kryetari Agim Ademi. Ademit i ka skaduar mandati më 15 janar, mandati i tij ka qenë dy-vjeçar. Nuk ka askund në botë të mbahen zgjedhjet çdo dy vite”, deklaroi Batatina.

Për hir të korrektësisë, Batatina nuk ishte i sigurt se a ishte “status apo statut”, pasi shumë herë nuk e shqiptonte siç duhej.

Pas, rezistimit të tyre, madje disa delegatë edhe lëshuan sallën por në fund ata u rikthyen dhe morën fjalën për të shprehur pa kënaqësitë e tyre.

Personazhi i tretë në përballjen e Batatinës dhe Ademit, ishte edhe delegati Ramiz Shala. Gjatë një momenti, kur Ademi ishte në foltore duke tentuar të qetësonte Batatinën, Shala e ndërpretë duke i thënë se nuk është në rendin e ditë kërkesa juaj. Për disa sekonda, biseda në mes Shalës dhe Ademi u tensionua.

Shou i Batatinës vazhdoi kur ai i kërkonte sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihut, që ai të interpretonte Statutin.

Batatina gjatë bisedës interaktive me Ademin, e kërcënoi se nuk do të mund të luajnë futboll, pasi do ta bojkotojnë kampionatin në stinorin pranveror. Krahu i djathtë i tij në këtë shou, ishte kryetari i 89shit, Abedin Zeka, i cili po ashtu qëndronte në këmbë.

 

Ish drejtori sportiv i klubit, tashmë i kthyer në rolin e trajnerit Batatina arriti që me këmbëngulësinë e tij, të merrte fjalën dhe  të shpaloste “mllefin”.

Gjatë fjalimit të tij, ai e kontestoi praninë e një pjese të delegatëve të pranishëm, pasi ata janë pjesë e FFK-së dhe marrin paga nga FFK-ja dhe kjo përbën konflikt interesi sipas tyre, si në rastin e Muharrem Sahitit, i cili është trajner i Përfaqësueses së Kosovës, të cilin e ka emëruar Komitet Ekzekutiv dhe ai duhet ta lëshojë kuvendin, ngjashëm si me Arta Osmani, Përparim Hasani, Malazog Hoxha, Hajrullah Haxhiu, Agim Kastrati, Afrim Haliti, Ismajl Ajeti, Agim Hasani e disa të tjerë, ku pretendohej se ata nuk kanë drejtë të jenë pjesë e kuvendit pasi marrin paga në FFK dhe kjo përbënë konflik interesi.

Megjithatë, edhe pse ankesat e tyre u dëgjuan dhe bllokuan Kuvendin për mbi dy orë replika me Ademin, ata lëshuan sallën gjatë procesit të votimit.

Anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv u votuan me 37 vota për.  Pas votimit të anëtarëve, Ademi tërheq kërkesën e tij për votëbesim duke thënë se do të bëjë në Kuvendin e ardhshëm.

Në fund të shou të tij, Batatina, sa ishte duke e lëshuar sallën, ai ngriste zërin “merrni edhe gazetarët të votojnë, shtini edhe do prej jashtit”, ishte fjalia e fundit e tij.

Kjo për shkaku sepse disa delegatë kishin lëshuar sallën e Kuvendit, për të pirë ndonje pije apo cigare, për shkak të monotonisë së krijuar dhe gjatë momentit të votimit ata u kthyen në sallë, për të votuar.

Kaos në Kuvendin e FFK-së, ky ishte propozimi në “bllokoi” gjithçka

 

 

Krejt në fund, pas votimit përfaqësuesi i FIFA-s, Oliver Junk e përgëzoi FFK-në dhe se sipas tij procesi ishte demokratik.

Insporti raportoi çdo detaj nga vendi i ngjarjes për zhvillimet në këtë Kuvend, që u zhvillua në hotelin Emerald në Prishtinë. /Insporti.com/

Image

-->