Shpenzimet enorme të LeBron James për trupin e tij

Basketboll 27 Mars 2018 13:18

Njëri nga basketbollistët më të mirë dhe më të përfolur të gjeneratës së tij, LeBron James, njihet si një lojtarë shumë dominues, kjo edhe për shkak të fizikut të tij.

Mirëpo, James tanimë 33 vjeçar, ka filluar qysh më herët të mendojë se si do ta mbajë këtë fizikë edhe më tutje dhe për këtë i është dashur të kërkojë ndihmë nga jashtë, e cila kushton goxha.

I ashtuquajturi “Mbreti James”, duket se është më i fuqishëm se kurrë dhe kur jemi afër përfundimit të pjesës së rregullt të sezonit në NBA, LeBron ka një mesatare prej 31 pikëve, 9.8 asistimeve dhe 9.8 kërcimeve për ndeshje, që i bie se ka gati një mesatare me triple-double për ndeshje.

Sipas njërit prej personave që është i afërt me lojtarin, sekreti i James në parket është se ai shpenzon kohë, mund dhe para të konsiderueshme, për t’u përkujdesur për trupin e tij.

E gjitha kjo, vjen për një çmim marramendës prej 1.5 milionë eurove në vit, ku përfshihen tretmane të shumta, në mënyrë që LeBron James të ketë një fizik dhe formë sa më optimale.

Mirëpo, katër herë fituesi i MVP-së në NBA, përveç se e ka ekipin e trajnerëve të skuadrës së Cleveland Cavaliers në dispozicion, ai po ashtu angazhon edhe një ekip të tërë profesionistësh që kujdesen për të, duke filluar nga trajnerët e deri tek kuzhinieri personal. /Insporti.com