Shpenzimet më të mëdha të klubeve në afatin kalimtar

Futboll 01 Shkurt 2018 15:36

Duke hedhur një vështrim me blerjet më të bujshme në top klubet e ligave kryesore evropiane, do të ishte e rëndësishme të shikohen edhe dallimet, apo fitimet ose humbjet që kanë arritur skuadrat, me transferimet e fundit.

 

Pa asnjë dyshim, ekipi i Barcelonës me blerjen e Coutinho-s, bëri harxhimin më të madh nga të gjithë. Mirëpo sa ka arritur Barcelona që përmes shitjes së lojtarëve, t’i kthej sado pak këto harxhime.

Philippe Coutinho kushtoi 120 milion euro (plus 40 milion shtesat). Kurse përfitoi vetëm 5.5 milion euro nga shitja e Mascheranos, pasi pjesa tjetër ishin lojtar të huazuar me shifra të vogla për një skuadër si Barça.

Liverpool është skuadra e dytë me transferin më të madh, madje për një mbrojtës. Bëhet fjalë për holandezin Virgil van Dijk, i cili kushtoi 85 milion euro.

Marrëveshja e dy klubeve angleze, Manchester United dhe Arsenal nuk përfshiu të holla, pasi ishte ndërrim lojtarësh. Mirëpo dallimi shikohet në aspektin e vlerës financiare të dy lojtarëve të përfshirë. Në këtë rast, vlera e Alexis Sanchez llogaritet diku tek 70 milion euro, kurse ajo e Henrikh Mkhitaryan në 35 milion euro. Nëse e shikojmë vetëm në këtë aspekt, i bie që skuadra e Manchester ka dal fituese në këtë marrëveshje.

Kur jemi tek Londinezët e Arsenal, në ditën e fundit të afatit ata siguruan shërbimet e Aubameyang për 65 milion euro dhe grekun Mavropanos për 2 milion euro. Megjithatë barrën financiare të sulmuesit nga Gaboni, e zbritën me fitimin e rreth 50 milion eurove nga shitja e treshes, Theo Walcott, Olivier Giroud dhe Francis Coquelin.

Chelsea me shitjen e Diego Costa-s me vlerën totale prej 65 milion eurove, arriti të financojë pak a shumë shpenzimet për lojtarët e blerë. Këtu përfshihen blerja e Ross Barkley, Emerson Palmieri dhe Olivier Giroud, në total me shifrën prej 57 milion eurove.

Manchester City në këtë afat vetëm shpenzoi, me blerjen a Aymeric Laportes për 65 milion euro.

Njëjtë veproi edhe Tottenham me 30 milion eurot e shpenzuara për Lucas Moura-n.

Atletico Madrid me 65 milion euro të shpenzuara për Costa-n.

Bayern Munich shpenzoi vetëm 13 milion euro për Sandro Wagner.

Borussia Dortmund po ashtu me harxhime rreth 25 milion euro për dyshen, Manuel Akanji dhe Sergio Gomez Martin.

-->