Shpërthen kapiteni i Ajaxit, e akuzon rëndë gjyqtarin e ndeshjes

Futboll 06 Nëntor 2019 09:35

Sulmuesi serb i Ajaxit, Dusan Tadic, beson se skuadrës së tij iu rrëmbye fitorja në barazimin dramatik 4:4 me Chelsean, për shkak të paraqitjes së gjyqtarit Gianluca Rocchi dhe vendimeve që ai i mori.

Klubi holandez Ajax kishte qenë duke fituar me rezultat 4:1 kundër Chelseat në Stamford Bridge të martën, mirëpo ndeshja përfundoi me barazim, pasi Daley Blind dhe Joel Veltman u ndëshkuan me kartonë të kuq në minutën e 68-të të ndeshjes.

Tadici nuk arriti ta kuptojë këtë vendim të gjyqtarit për t’i ndëshkuar dy qendërmbrojtësit e Ajaxit me kartonë të kuq dhe ai beson se Ajaxi e meritoi të shpërblehet me fitore për paraqitjen në këtë ndeshje.

“Ishim shumë më të mirë. Ne duhet të flasim vetëm për ndeshjen tonë sepse ishim në epërsi 4:1 dhe patëm gjithçka nën kontroll dhe pastaj një njeri na rrëmbeu gjithçka”, ka thënë Tadic, pas ndeshjes.

“Zhgënjim i madh sepse ne duhet të flasim vetëm për Ajaxin dhe për mënyrën se si ne luajtëm futboll të mirë. Por, ne s’mund ta bëjmë këtë gjë sepse një njeri erdhi dhe na rrëmbeu gjithçka neve”.

“Ne e pamë një situatë me një ndërhyrje në Daley Blind, pastaj ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e pastaj ia dha edhe Joel Veltmanit kartonin e dytë të verdhë, pastaj ka penallti”.

“Unë kurrë në jetë s’kam parë kësi ndëshkimi të trefishtë, asnjëherë. Por, gjithçka nis me një ndërhyrje në Daley Blind, më duket se Christian Pulisic ishte ai që ai bëri ndërhyrjen”.

“Është një zhgënjim i madh. Nuk më pëlqen të arsyetohem, nuk më pëlqen të flas për njerëzit e tjerë. Ne do të duhej të ishim duke folur për mënyrën se si Ajaxi luajti shumë më mirë sesa Chelsea, por s’mundemi sepse dikush na shkatërroi ndeshjen”.

-->