Shpërthen “Mbreti James”. Barazohet seria e ndeshjeve në lindje (Video)

Basketboll 22 Maj 2018 13:54

“King James” drejtoi skuadrën e tij Cleveladn Cavaliers drejt fitores 111-102, në ndeshjen e katërt ndaj Boston Celtics, në finalen e Konferencës Lindore në NBA, duke bërë që seria e ndeshjeve në mes këtyre skuadrave të barazohet në 2-2.

LeBron James shënoi 44 pikë në këtë ndeshje, duke kaluar legjendën Karim Abdul Jabbar, sa u përket pikëve të shënuara nëpërmjet aksioneve në historinë e “playoff”-it me 2356 të tillë. Për më tepër, kjo ishte ndeshja e 25-të e James në karrierë, që shënon të paktën 40 pikë në fazën e “playoff”-it.

Në “Quicken Loans Arena”, Cleveland hyri në fushën e lojës me idenë për të fituar me çdo kusht dhe për të barazuar rezultatin në seri në këtë finale të Konferencës Lindore. Pas një fillimi të baraspeshuar të ndeshjes, Cavaliers arriti të gjejë ritmin e duhur për të fituar këtë ndeshje, të cilën për pjesën më të madhe të kohës, skuadra nga Ohajo e kishte në kontrollin e saj.

Perioda e parë u mbyll me rezultatin 34-18 për nënkampionët e NBA, derisa Boston nuk bëri dot shumë dhe vetëm në raste sporadike arrinte të shkurtonte diferencën. Kjo edhe për meritë të Cleveland, që nuk e lejoi asnjëherë Celtics të afrohej shumë në rezultat, duke e mbajtur të pandryshuar diferencën e pikëve edhe në çerekun e dytë, për ta mbyllur pjesën e parë 68-53.

Në dy çerekët e tjerë, Bostoni krijoi një avantazh të lehtë, por që nuk i prishi punë Cleveland, që mori këtë fitore të rëndësishme.

Ndeshja e pestë mes Boston Celtics dhe Cleveland Cavaliers, do të luhet në shtëpinë e Celtics, në “TD Garden”, aty ku kjo skuadër ka regjistruar një bilanc me 9 fitore e asnjë humbje.

Më poshtë mund t’i shikoni pesë aksionet më të mira të ndeshjes Cleveland Cavaliers – Boston Celtics. /Insporti.com