Shpërthen Zidane pas humbjes së Realit: Nuk dhuruam asgjë

Futboll 28 Prill 2019 23:35

Zinedine Zidane ka reaguar pas humbjes shokuese të Real Madridit nga Rayo Vallecano, ekipit të fundit në tabelë.

Në javën kur rivali Barcelona e ngriti trofeun e La Ligas, ‘Los Blancos’ u mundën me rezultat 1:0 në udhëtim, ndeshje në të cilën Zidane ka cilësuar se “ekipi nuk dhuroi asgjë”.

“Ne nuk mund të japim këtë imazh. Unë jam përgjegjës. Nuk kemi luajtur dhe nuk kemi bërë asgjë nga minuta e parë në të 90-tën. Asgjë, zero”, ishte përgjigja e Zidane.

“Nuk janë vetëm lojtarët ata që janë fajtorët, është faji im për ndryshimet, unë jam përgjegjës për këtë humbje”, theksoi pas ndeshjes Zidane.


Humbja ndaj Vallecanos, ishte e 10-ta e sezonit për Real Madridin

“Nëse nuk luani nga mintua e parë deri në të 90-tën ju nuk mund të ekzistoni, janë lojtarët ata që luajnë por ju duhet të mendoni diçka më herët, duhet kërkuar falje për këtë që bëmë, ka qenë qëndrimi ynë. Nuk mund të largohemi nga këtu duke thënë se pati gjëra të mira, jo, zero”, tha Zidane.

“Kemi tri ndeshje dhe duhet të luajmë ndryshe, tri ndeshje të mbetura dhe duhet ta përfundojmë ligën me respekt për të gjithë dhe për ekipet që luajnë kundër nesh”.

“Nuk e gjetëm golin. Nuk bëmë asgjë nga minuta e parë në të fundit, në të gjitha nivelet. Jo vetëm në aspektin e golit. Nuk patëm asgjë dhe nuk luajtëm për asgjë. Dueht të jemi shumë të inatosur. Unë jam shumë i inatosur sepse imazhi ynë sot ishte i keq. Duhet kërkuar falje për të gjitha ato që bëmë sot”, theksoi Zidane pas ndeshjes.

Që prej rikthimit të Zidane, Reali në 8 ndeshje ka 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. /Insporti.com/