Shpëton Peja

Superliga 22 Prill 2018 20:09

Peja edhe zyrtarisht e ka siguruar mbijetesën në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e javës së fundit, pejanët kanë fituar në kryeqytet ndaj Kerasan Prishtinës me rezultat 89:77 dhe në këtë mënyrë kampionatin e përfunduan në pozitën e gjashtë me 36 pikë. Rron Grapci me 28 dhe Beq Kovaqi e Blendi Kadusha me nga 22 pikë ishin më të dalluarit te skuadra fituese. Ndërsa, te Kerasan Prishtina më efikasit ishin Rinor Ahmeti me 21 e Kujtim Ujkani me 18 pikë.

“Ka qenë ndeshje e vështirë për ne, pasi e përcaktonte fatin tonë. Peja ka pasur probleme financiare, ka pasur ndalesë nga FIBA, nuk kemi pasur mundësi të bëjmë përforcime dhe si pasojë e kësaj situate erdhëm në pozitë tepër të vështirë. Shpresoj që kryesia të gjejë mënyrë për t’u riorganizuar, sepse Peja është skuadër e madhe dhe nuk e meriton të jetë në këtë gjendje”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Pejës, Petrit Zeqiri.

Pjesa më e madhe e lojës u karakterizua me rivalitet të madh dhe fituesi nuk dihej deri në minutat e fundit. Megjithatë, në çastet më  të rëndësishme, pejanët u treguan skuadër më e pjekur dhe më e uritur për fitore, të cilën në fund edhe e arritën.  E, për ta ndihmuar në qëllimin e saj, në javët e fundit ishin kthyer edhe disa nga basketbollistët që dy-tre vjet më parë e kishin përfunduar karrierën, në mesin e tyre edhe ikona e Pejës, Valdet Grapci.