Shqetësime në Bayern, lojtarët frikohen të flasin

Futboll 21 Shkurt 2018 15:27

Ekipi gjerman i Bayern Munchen, mbrëmë shënoi fitore bindëse në shtëpi kundër Besiktas me rezultat 5-0, mirëpo brenda lojtarëve të skuadrës bavareze, duket se nuk ishte e gjithë atmosfera në nota pozitive.

Trajneri Heynckes në formacionin startues, nuk e nisi ndeshjen me Arjen Robben e Franck Ribbery, të cilët u inkuadruan më vonë, kurse Thiago Alcantara nuk ishte fare pjesë e skuadrës.

Holandezi 34 vjeçar ishte prej më të pakënaqurve, duke deklaruar pas ndeshjes për gazetarin e Sky, se nëse do të ankohej sot dhe do të shprehte pakënaqësi, qysh ditën pasuese do ta shihte veten në zyrën e drejtorit ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge.

Jupp Heynckes, shprehu se e kupton mërzinë e tre lojtarëve që janë shfaqur të pakënaqur, por potencoi se ai si trajner, merr vendime të cilat sipas tij janë të duhurat dhe lojtarët duhet t’i pranojnë ato.

Përndryshe Bayern po kalojnë një formë fantastike, sidomos pas ardhjes së trajnerit veteran Heynckes, me 14 fitore rresht në të gjitha garat dhe 12 prej tyre në “Allianz Arena”. /Insporti.com

-->