“Shqetësimi që nuk shqetëson”, Superliga e Evropës në futboll

ARDIT DRAGUSHA
Gjatë ditës së djeshme, 12 nga klubet më të mëdha në botë, njoftuan se do të themelojnë Superligën e Evropës në futboll, duke u larguar kështu nga të gjithë mekanizmat evropian të futbollit siç janë UEFA, dhe ESA, për të krijuar një garë të mbyllur, të përkrahur financiarisht nga banka private amerikane JP Morgan, e cila do të investojë mbi 6 miliardë $.
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA së bashku me ligat nacionale kërcënoi klubet, duke thënë se do t’i përjashtoi nga të gjitha garat, përfshirë këtu edhe sanksionimin e lojtarëve për të përfaqësuar kombëtaret e tyre. Por nisma e klubeve u bë publike, duke nisur sportin në një spirale të pafund ndryshimi. Themelet e sportit ndryshuan, duke nisur një kapitull të ri të lojës 160 vjeçare, një kapitull që sikur në tregimin e danezit Hans Christian Andersen, shfaq perandorin cullak para publikut të hutuar që nuk mund ta përthekojë se çfarë është duke ndodhur.
Në librin “Talking to My Daughter about Economy”, ekonomisti grek dhe ish ministri i Financave, Yanis Varoufakis, bën dallimin mes dy vlerave në shoqëri, ku thotë se janë të mirat (eksperiencat) edhe komoditet (mallrat, shërbimet, gjithçka që shitet në treg, përfshirë edhe mitrën e nënës që bëhet surrogate për çiftet që nuk mund të lindin, kundrejt një vlerë monetare). Përderisa të mirat nuk kanë çmim në treg, nuk kanë vlerë këmbyese, komoditetet kanë çmim dhe përmes tyre synohet vetëm një gjë në kapitalizëm, profiti.
Kalimi nga një shoqëri me tregje, në shoqëri të tregut e dëshmon komodifikimi i gjithçkaje, ku çdo gjë mund të blihet për një çmim. Një realitet i tillë, mund të mendohet gabimisht se ka ekzistuar gjithmonë por nuk është e vërtetë. Varoufakis përmend belan e Akilit me Agamenonin, ku lideri i ushtrieve greke nuk mund ta blinte paqen me të birin e Thetisit, pavarësisht ofrimit të të mirave materiale. Ishte fyer nderi i Akilit ndaj nuk kishte pasuri që mund ta pajtonte. Shembull tjetër është edhe konflikti mes Ajaxit, njërit nga luftëtarët më të dallur të ushtrisë greke dhe Odisesë, mbretit të Itakës që me dinakëri solli rënien e Trojes. Të dy këta trima kishte një konflikt mes veti, mbi atë se kush do t’i merrte armët e Akilit, pasi ky i fundit ishte vrarë nga Paridi. Armët ishin bërë nga perëndia Hepastues, dhe kush i merrte ato, shihej si pasardhës i denjë i Akilit. Pasi dëgjuan argumentet e secilit, gjeneralët vendosën në favor të Odiseës, me Ajaxin që bëri vetëvrasje kur dëgjoi vrediktin. Një mosmarrëveshje e tillë, në ditët e sotme thotë Varoufakis do të ishte zgjidhur me ankand, cili do të ofronte më shumë para do t’i merrte armët. Por për ata dy, nuk kishte rëndësi vlera e këmbimit të tyre, por merita e të qenit i denjë për to.
Nga motori me avull i James Watt që nis kapitalizmin, merita, të qenit i denjë për diçka nuk ka fare rëndësi. Meritat historike nuk ishin kriter as dje për të drejtën e të qenit pjesë e Superligës së Evropës, me futbollin që si sporti i vetëm global në botë, sport i cili ka krijuar identitete të vendeve dhe kulturave, që një kohë të gjatë ka kaluar nga komunitetet, studentët dhe punëtorët të cilët e krijuan dhe zhvilluan në duart e pak njerëzëve të pasur, të cilët e shohin si një mjet për të fituar më shumë para.
12 nga 15 klubet më të pasura të botës, dje nisën “Superleague”, një garë elitiste, të motivuar nga lakmia për të fituar edhe më shumë para, duke krijuar një sistem të mbyllur që pavarësisht meritave sportive, performancave vjetore, trashëgimisë historike u garanton të hyra marramendëseve , pa u dhënë llogari asnjë mekanizimi rregullues.
Kjo është rezultat natyral i modelit të kapitalizmit që ka prioritet rritjen eksponenciale pavarësisht gjithçkaje. Nuk ka qëllim final, nuk ka moment kënaqësie, nuk ka fund dhe nuk ka të bëjë asgjë me komunitetin apo njerëzit që e duan diçka.
“Socializmi në të cilin besojë unë nuk ka të bëjë me politikën. Është një mënyrë e të jetuarit, humanizëm. Unë besojë se e vetmja mënyrë për të qenë i sukseshëm është përmes një përpjekje kolektive, ku secili bën pjesën e tij, ndihmon tjetrin dhe në fund secili merr shpërblimin e tij. Kjo mund të jetë një kërkesë shumë e madhe por kështu e shoh unë futbollin dhe jetën”. Kështu shprehje trajneri skocez i Liverpoolit, Bill Shankly, i cili mori drejtimin e Liverpoolit teksa ata kishin pesë vite që gjendeshin në ligën e dytë angleze dhe sapo ishin mposhtur nga Worcester City (ekip që nuk bënte pjesë në ligat profesionale angleze të kohës) në kupën FA. Duke i bërë tifozët të ndiheshin si pjesë e skuadrës, ku gratë vendosnin hirin e burrave të vdekur në stadium, Shankly transformoi Liverpoolin, duke nxjerrur nga liga e dytë, drejt titullit kampion në Angli dhe Kupën e UEFA-s.
Liverpool dje njoftoi se iu është bashkuar Superligës së Evropës, ndërkohë, kampionët e tjerë të Evropës siç janë Ajax, Hamburgu, Steaua e Bukureshtit, Porto, PSV, humbën mundësinë për të luajtur ndaj Liverpoolit që kërkon miliardat. Humbën pa luajtur asnjë asnjë ndeshje.
Futbolli është, apo do duhej të ishte një përfaqësim dhe ambasador i vlerave të komunitetit në të cilin është vendosur. Po, është edhe biznes i jashtëzakonshëm por të paktën deri tash, ekzisonte një ekosistem, sado i kontaminuar që ofronte një dritare të vogël mundësie suksesi për të gjithë. Shumë e vështirë, sidomos pas përfshirjes së oligarkëve në dy dekadat e fundit si (Chelsea) dhe shteteve me para pa hesap (Manchester City, PSG), por jo e pamundur. Porto fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2004, ditë më parë Dinamon e Zagrebit, eliminoi nga Liga e Evropës, Tottenham Hotspur, njërin nga 12 klubet themeluese të Superligës, Atalanta luajti vjet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve teksa dje mposhti Juventusin.
Marcelo Bielsa, trajneri dogmatik i Leeds United thotë që futbolli është sporti më popullor në botë, ngase i vogli ka mundësi të fitojë ndaj të madhit. Davidi ndaj Goliatit. Gara është larg të qenit fer, por për 90 minuta gjithçka mund të ndodhë. Dhe shpesh ndodhë. Të rralla janë rastet kur një ekip fiton gjithmonë ndaj një ekipi tjetër. Nëse ki mundësi të luash, ki mundësi të fitosh.
Por është e pamundur të fitosh nëse nuk ki mundësi të luash. Vendimi arbitar, thellësisht jodemokratike (Real Madrid dhe Barcelona nuk janë pronë ndonjë pronari, këto klube organizojnë zgjedhje të brendshme, ku anëtarët e klubit vendosin presidentin), me inciativë të pronarëve amerikanë që nuk kanë haberin as interesin më të vogël për futboll (Manchester United, Arsenal, Liverpool) fundos fansat, garën, meritokracinë, komunitetet dhe historinë e gjithë futbollit. Asnjë moment, asnjë rekord, asnjë ndeshje historike, asgjë nuk ka rëndësi përpara projektit të ri. Goli i Zidane në finalen e Hampden Park ndaj Bayer Leverkusen në vitin 2002, rikthimi i Liverpoolit nga 3-0 në “Mrekullin e Stambollit” në vitin 2005, goli i fitores në sekondën e fundit nga Ole Gunnar Solskajer ndaj Bayernit në vitin 1999, 134 golat e Cristiano Ronaldos dhe magjia e Messit bien në ujë përball projektit komodifikues që do të kushtojë më shumë dhe do sjellë më shumë para për multi-miliarderët.
Përjetimet e fansave të klubeve “jo elitare” , triumfet e tyre, synimet dhe ëndërrat nuk kanë vlerë ngase nuk kanë çmimi ndaj mund të hedhën poshtë për të përqafuar projektin e ri, ku Real Madrid luan ndaj Manchester United çdo javë. Spektaklit nuk i bëhet vonë për përmbajtjen, të pasurit luajnë gjithmonë në qendër të vëmendjes, të tjerët që kanë mbetur jashtë bëjnë seri dhe pavarësisht performancave dhe arritje, nuk mund të luajnë me “elitarët” ngase historia e garës është mbyllur për t’u mos u hapur më për të tjerët.
“Futbolli është njëri ndër krimet më të mëdha të Anglisë” thoshte novelisti Borges, teksa caktonte ligjeratën në orën kur Argjentina luante takimin e parë të Kampionatit Botëror të 1974-tës. Ai, sikur George Orwell para tij, lidhte futbollin me nacionalizëm, fantaizëm fisnor, dhe racizëm. Në mes të pandemisë, në një vend si Kosova, formimi i Superligës së Evropës është bira e fundit e kavallit të problemeve dhe prioriteteve. Një shqetësim që nuk na shqetëson. Por, siç deklaroi trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp në fillim të pandemisë, futbolli është gjëja më e rëndësishme e gjërave më të parëndësishme.
Përtej futbollit, Superliga e Evropës, e cila mund edhe të luhet jashtë kontinetit të vjetër, shpërfaq një problem madhor të rendit ekzistues ekonomik. Ekonomia e tregut të lirë, e derregulluar shpie tek mbytja e konkurrencës, që supozohet të jetë themeli i kapitalizmit. Drejtuesit që morën vendimin për themelimin e ligës së mbyllur nuk kanë njohuri për futbollin, historinë e klubeve, konsideratë për çfarë përfaqësojnë, por më e rëndësishme se të gjithë këto, nuk kanë merita dhe të drejta për fuqinë ekzekutive që kanë. Familja Glazer mund të bëjë çfarë të dojë me Manchester United, duke mos i dhënë përgjegjësi askujt. Dikush mund të thotë që teksa janë pronarë, ata mund të bëjnë çfarë të dojnë. Por si u bën pronarë? Duke investuar para të veta? Jo. Kapitali që u përdor nga Glazer për të blerë Manchester United, erdhi nga kreditë të siguruara nga asetet e klubit që blenë, e që pastaj rritën borxhet e klubit duke përfituar dividenda pa asnjë investim personal. Kreditë pastaj u kthyen me fitimet e klubit. The game was rigged from the start.
Komodifikimi nuk funksionin asnjëherë thotë Varoufakis. Tregjet bëjnë punë fantastike kur është puna tek menaxhimi i furnizimit me kafe të një qyteti, shpërndarjen e të produkteve tek konsumatorët me shije të ndryshme, por jo tek menaxhimi i parave në këtë nivel.
Në Greqinë e lashtë, një person që refuzonte të mendonte për të mirën e përgjithshme, quhej idiotis – privat, një person që shikonte punët e tij personale. Në shekullin XVIII, shkollarët britanik me pasion për tekstet e lashta greke, ja dhanë kuptimin modern fjalës idiotis – budalla. Në këtë kuptim, në mënyrë që shoqëria, planeti e në fund futbolli të mbijetojë, duhet respektojë vlerat, kënaqësitë, që nuk mund të përkthehen në profit.
“We want to be a part of something bigger, so much so that we blind ourselves to the flaws that develop in these grand plans—or the flaws that were inherent to them all along.”.