Shqiptarët shkëlqejnë në Beograd  

Atletikë 27 Shkurt 2020 21:16

Pas 6 medaljeve të fituara dy javë më parë në Turqi, atletika shqiptare shkëlqen në një tjetër event ndërkombëtar. Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj arrijnë të shpallen kampionë në Mitingun Ndërkombëtar të sallave të mbyllura që u mbajt në Beograd. Dy atletët shkodranë bënë një paraqitje mjaft të mirë duke rrëmbyer medalje ari. Izmir Smajlaj, i cili konkurroi në kërcim së gjati, u pa në një formë mjaft të mirë. Ai regjistroi rezultatin 7.94 metra, ndërsa si rrallë herë të gjitha provat e tij ishin të rregullta duke mos shkaktuar asnjë faull.

Me këtë rezultat Smajlaj vendosi edhe rekord të ri në këtë pistë. Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, shkodrani deklaroi: “Ndonëse çuditërisht kisha shumë emocione, bëra një garë të mirë, duke vendosur edhe rekordin e pistës. Tashmë e gjithë vëmendja shkon në garat e hapura, ku na presin evente tepër të rëndësishme”, tha Smajlaj.

Ndërsa Gjergj Ruli kreu i FSHA, njëkohësisht edhe trajner i Smajlajt deklaroi: “Jemi shumë të kënaqur me paraqitjen e bërë nga Izmir Smajlaj, pasi tregoi një stabilitet për t’u admiruar në të gjitha provat. Ndonëse gara nuk zhvillohej në kushtet më ideale, pasi u mbajt në një palestër. Gjithashtu nuk pati as mbështetjen e publikut, duke qenë se konkurronte ndaj rivalëve serbë. Megjithatë Izmiri ia doli”, u shpreh Ruli.

Kjo ishte medalja e katërt e artë në 2020-ën për Izmir Smajlajn, që më parë ka triumfuar edhe në Mitingun e Bratislavës, në Ballkaniadë dhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit.

Ashtu sikurse Smajlaj, edhe Franko Burraj bindi me paraqitjen e tij në garën e 400 metrave. 21-vjeçari i mposhti të gjithë rivalët, duke e ndalur kronometrin në kohën 47:20.

Kjo ishte medalja e dytë e artë për Burrajn, i cili u shpall kampion edhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit, disa ditë më parë. Ndërsa në Ballkaniadë, shkodrani ishte i pafat, pasi pa t’i hiqej medalja e artë për një gabim teknik. Burraj e komentoi kështu paraqitjen e bërë bë Beograd: “Ishte një garë shumë e mirë për mua. Ia dola që të marr medaljen e dytë ndërkombëtare pas Stambollit, duke e mbyllur më së miri sezonin ‘indoor’. Tashmë do të fokusohem tek Kampionati Evropian”, tha Burraj.

-->