“Shumaherja e Kosovës” që garon me meshkujt tregon se a është xheloz burri i saj

Jeta me një burrë xheloz është si një provë e përjetshme e durimit femëror. Dhe familjet në të cilat burri vuan nga xhelozia, për fat të keq, nuk janë të rralla edhe sot, por me një problem të tillë nuk është përballur “Shumaherja e Kosovës”, Pranvera Xhaferi, shkruan Insporti.com.
“Me bashkëshortin njihemi mbi dy dekada, gjithmonë e kemi mbështetur dhe përkrahur njëri-tjetrin në çdo iniciativë dhe në çdo vendim. Besoj qe kjo mjafton për ta kuptuar sa e njohim dhe sa e besojmë njëri-tjetrin. Sa i perket xhelozisë, nuk i kemi lënë hapsirë njeri-tjetrit, sepse jemi fokusuar me tepër në rritjen e 3 fëmijeve tanë, në dëshirat tona si dhe në arritjet tona profesionale” – tha pasionantja e veturave, Pranvera Xhaferi për Insportin.
Pranvera Xhaferi, me veturën e saj “AUDI RS 6” është shndërruar në një konkurrente të fortë edhe për burrat, ku pasionin për veturat e ka marrë nga babai.

“Pasionin për veturat dhe vozitjen e kam trashëguar nga babi, i cili m’i ka dhënë hapat e parë në këtë drejtim.
“Pastaj kam pas fatin qe shumë e re ta kem makinën time personale dhe përgjatë 20 viteve të fundit, kam marrë shumë eksperiencë në vozitje brenda dhe jashtë Kosoves” – tha ajo.

Te jesh femër në mesin e garueseve meshkuj nuk ka qenë aspak problem për Xhaferin, e cila tha se është pritur mjaft mirë në mesin e meshkujve.
“Fatmirësisht jam pritur shumë mirë në mesin edhe të garuesëve meshkuj, madje më mirë se që e kam paramenduar. Më kanë përkrahur me këshilla dhe kurajo për të vazhduar gjithmonë përpara. Poashtu edhe nga Federata autorsportive e Kosovës”
“Madje më kane cilësuar si femra e parë shqiptare që po then tabu dhe shumë paragjykime në këtë sport në vend dhe jashtë vendit” – tha Xhaferi për Insportin.
Ndër tjerash, Pranvera ka marrë edhe nofkën “Shumaherja e Kosovës”, emërtim ky që ajo e ka për zemër.
“Nofkën “Shumaher”, ma kanë thënë njerëzit e afërt që më kanë njohur në timon edhe shumë kohe para se të jem pjesë e garave automobilistike.
“Mirëpo të cilësohesh pastaj edhe nga shumica e njerëzve “Shumahere e Kosoves”, ishte për mua një vlerësim dhe respekt i jashtezakonshem.
“Këtë nofkë ma kanë vënë duke u bazuar në teknikat, shpejtësitë dhe shkathtesitë e mija në timon si dhe arritjet e sukseset brenda nje periudhe kaq te shkurtë.
“Krahasimi me autopilotin e famshëm botëror Shumaher, mua më bën nder dhe shumë krenarë për vetën, si femra e parë në trojet shqiptare që ka arritur në këtë nivel në sportin e automobilizmit” – përfundoi ajo.

Në disiplinën Drag Race, Xhaferi mori pjesë në garat në Bullgari, ku zuri vendin e tretë, ndërsa në Greqi zuri vendin e parë.
/Insporti.com