Si e prishi Kadri Veseli protokollin pas ndeshjes Bullgaria – Kosova

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka bërë që të prishej protokolli pas ndeshjes Bullgaria – Kosova.
Veseli, i cili ishte në Sofje për ta përcjellë nga afër takimin e Kosovës në kuadër të kualifikimeve të Evropianit, bëri që të shkelej protokolli i ndeshjes, transmeton Insporti
Kjo për shkak se ai hyri në zhveshtore për të uruar futbollistët e Kosovës, duke u mbajtur atyre fjalim, me ç’rast ata nuk arritën që të jepnin intervista në minutat që ishin rezervuar për transmetim live nga UEFA.
Insporti raporton se transmetuesi i ndeshjes edhe pse i ka dhjetë minuta të rezervuara në transmetim live për sinjalin ndërkombëtar të UEFA-s, asnjë prej lojtarëve të Kosovës nuk u paraqit në ato dhjetë minuta për të dhënë intervistë.
Kjo për shkak se të gjithë lojtarët ishin të “ngujuar”, meqë në zhveshtore hyri Kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli për t’u mbajtur fjalim dhe për t’i uruar duke e prishur kështu protokollin e ndeshjes nga ana e kombëtares së Kosovës.
Dhënia e deklaratës për kanalin gjegjësisht për sinjalin satelitor të UEFA-s është e detyrueshme dhe pjesë e protokollit pas ndeshjes.
Më poshtë keni momentet kur Veseli hyri në zhveshtoren e Kosovës, aty ku kishte festë pas fitores 3:2 kundër Bullgarisë. /Insporti.com/