Si ndryshoi Kosova me trajner të ri, 334 ditë pa humbje

Nations League 12 Tetor 2018 09:24

7 ndeshje pa humbje, 6 fitore dhe një barazim – Kosova ka ndryshuar që nga largimi i Albert Bunjakut.

Ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Maltës, ishte e 7-ta për Kosovën pa Bunjakun dhe e 6-ta me trajnerin e ri në stol, Bernard Chalandes.

Në të gjitha këto takime, Kosova regjistron vetëm rezultate pozitive, nuk ka asnjë humbje – 6 fitore dhe një barazim, në ndeshje miqësore.

Kjo ecuri fantastike e Kosovës nisi në nëntor të vitit 2017, me fitoren mbresëlënëse në stadiumin “Adem Jashari” prej 4-3 kundër Letonisë, e siguruar në sekondat e fundit me golin e Besar Halimit, pra kanë kaluar 334 ditë që kur Kosova nuk di për humbje.

Kosovën në atë ndeshje e udhëhoqi, Muharrem Sahiti, tani asistent i  Chalandesit.

Pas kësaj fitore, me ardhjen e Chalandesit – Kosova u forcua edhe më shumë dhe në 6 ndeshje në krye me zviceranin, ka arritur 5 fitore dhe një barazim – nuk di për humbje.

Në këto 7 ndeshje të ecurisë fantastike, Kosova ka realizuar 15 gola, ndërsa ka pranuar 4 gola.

Humbja e fundit e Kosovës daton në tetor 2017, 2-0 nga Islanda. /Insporti.com/