Sigal Prishtina – Rahoveci, rezultat i papritur  

Superliga 20 Prill 2018 20:22

Sigal Prishtina e ka mposhtur Rahovecin me rezultat 99:93 në ndeshjen e javës së fundit të pjesës së rregullt të kampionatit të IP Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja është përshkuar me rivalitet të madh, madje fillimi në tërësi i ka takuar skuadrës mysafire, e cila çerekun e parë e mbylli me epërsi prej 14 pikësh (29:15), ndërsa në fillim të çerekut të dytë pati edhe 17 pikë epërsi. Megjithatë, në vazhdim gjërat ndryshuan dhe pas 20 minutave lojë, rezultati ishte 51:51.

Pjesa e dytë ishte përafërsisht e barabartë, ndërsa në fund fitores iu gëzuan kryeqytetasit. Alban Veseli me 32 e Filip Bundoviq me 27 pikë ishin më të merituarit për fitoren e Sigal Prishtinës. Ndërsa, te Rahoveci Taylor Deihl me 27 pikë ishte më efikasi, i pasuar nga Arti Hajdari, i cili ndeshjen e mbylli me 17 pikë të shënuara.

Me këtë fitore Sigal Prishtina është ngjitur në kuotën e 55 pikëve dhe në play- off do të startojë nga pozita e parë dhe takohet me Golden Eagle Yllin. Në anën tjetër, Rahoveci ka arritur sukses historik, duke e mbyllur kampionatin në pozitën e tretë dhe për herë të parë do të luajë në play-off, ku do të ballafaqohet me Bashkimin.