Sigal Prishtina shënon fitore bindëse në Qipro – raporti dhe statistikat

Basketboll 12 Nëntor 2019 19:28

Sigal Prishtina ka triumfuar në Qipro ndaj Apoel Nicosia me rezultat 107:80 (31:23, 21:23, 28”09, 27:25), në ndeshjen e katërt në Grupin C të FIBA Europe Cup.

Prishtinasit ishin të vendosur për të fituar dhe këtë e treguan në çerekun e parë, që e fituan me shifrar 31:23. Çereku i dytë ishte më i barabartë dhe përfundon me rezultat 23:21 në të mirë të vendasve.

Dallimi u bë në dhjetëminutëshin e tretë, ku bardhekaltrit e fituan 28:09 për të shkuar drejt një fitoreje të sigurt. Epërsinë e lartë e ruajtën edhe në dhjetëminutëshin e fundit, që e fituan 27:25 dhe triumfuan në fund 107:80.

Dmitri Thompson ishte më i dalluari te vendësit me 22 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime, derisa te Prishtina më i miri ishte Divine Myles me 31 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime.

Ai u ndihmua nga Mikaile Tmusiq me 23 pikë, Fahro Alihoxhiq me 15 pikë e 10 kërcime, si dhe Jonathan Wade me 13 pikë e shtatë kërcime.

Sigal Prishtina nga katër ndeshje të zhvilluara ka dy fitore dhe dy humbje, derisa Apoel ka katër humbje në po aq takime të zhvilluara.

Në përballjen e ardhshme prishtinasit do të ndeshen me skuadrën gjermane, Bayreuth, më 20 nëntor në kryeqytet.

-->