Sinani: Unë jam beogradas, nuk kam asgjë me Shqipërinë

Futboll 10 Shtator 2019 16:56

Njëri nga futbollistët e Luksemburgut që do të luajë sonte kundër Serbisë, në ndeshjen për kualifikimet në Kampionatin Evropian të viti 2020 është edhe Daniel Sinani.

Ai është golashënuesi më i mirë i Luksemburgut me tri gola, kombëtare që befasisht renditet në pozitën e tretë në Grupin B, pas Ukrainës e Portugalisë.

22 vjeçari Sinani me kombësi është goran, i lindur në Beograd, ndërsa prindërit e tij janë nga Dragashi i Kosovës, ndërsa nga Serbia u larguan në vitin 2002 për të kërkuar një jetë më të mirë.

Sinani ka nënshtetësi serbe, ndërsa është anëtar i skuadrës më të mirë të Luksemburgut, Dudelange, e cila edhe sivjet do të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

“Prindërit e mi janë lindur dhe rritur në Dragash të Kosovës, por unë jam lindur në Beograd, ashtu si vëllai im David. Natyrisht që në Shqipëri nuk më njeh askush, sepse nuk jam shqiptar. E di se mendojnë që jam, por unë nuk kam asgjë me Shqipërinë. Jam rritur në Serbi dhe Luksemburg dhe nuk di të flas shqip. Kam qenë 5 vjeç kur kemi shkuar në Luksemburg me familjen, pra 16 vjet më parë, dhe natyrisht që jam i lidhur me këtë shtet. Për këtë arsye luaj për Luksemburgun”, ka sqaruar sulmuesi i ri për portalin shqiptar sportexpres.