Sipas Di Maria, Messi apo Ronaldo ?

Futboll 09 Shkurt 2018 09:02

Lojtari i PSG, Angel Di Maria, ka dhënë një intervistë në të cilën përpos shumë temave tjera, ai shprehet edhe për dy lojtarët, të cilët sot cilësohen si më të mirët në botë.

Argjentinasi ka luajtur me të dy, me Ronaldo-n tek Real Madrid, kurse me Messi-n në Përfaqësuesen e Argjentinës.
Ai ka thënë se Ronaldo është me të vërtetë një lojtarë shume i shkëlqyeshëm, por sipas tij Messi është “jashtëtokësorë” dhe nuk ka fjalë tjetër për ta përshkruar. Di Maria u shpreh po ashtu, se është mëkat ndoshta që të dy luajnë në epokën e njëjtë kur bie puna te krahasimi, por është fat në të njëjtën kohë, që njerëzit mund ti shikojnë këta dy lojtarë të luajnë.

Mesfushori i PSG-së, u shpreh edhe në lidhje me periudhën, ku për pak nuk u rakordua për kalimin e tij tek Barcelona. “Isha afër kalimit tek Barcelona, por ajo nuk ndodhi. E kam filluar vitin 2018 mirë dhe jam shumë i lumtur, pasi ishte gjithmonë ëndërr e imja të luaj në Evropë dhe pastaj të kthehem përsëri një ditë në Rosario Central”.

Javën e ardhshme, Angel Di Maria dhe PSG, takohen në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Champions League kundër Real Madrid, ku do të rikthehet në “Santiago Bernabeu” si kundërshtarë i “Los Blancos” kësaj radhe. /Insporti.com

-->