Situatë alarmante në futbollin shqiptar

Futboll 06 Dhjetor 2018 22:00

Janë 14 skuadra mes Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë të Shqipërisë që rezultojnë të bllokuara nga tatimet dhe funksionojnë pothuajse në të zezë. Problemet financiare të klubeve shqiptare janë gjithnjë e më shumë prezente.

Një kontroll i thjeshtë i bërë nga “Panorama Sport” në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, nxjerr zbuluar futbollin shqiptar të Superiores dhe Kategorisë së Parë deri më 05 dhjetor 2018 (dje). Përgjigjja është alarmante: Gjysma e Superiores dhe thuajse gjysma e Kategorisë së Parë është e bllokuar në tatime. Dhe nuk bëhet fjalë për ekipe dosido, por qytetet më të mëdha të Shqipërisë.

Mes ekipeve të Superiores që janë borxhli te tatimet rreshtohen: Flamurtari, Luftëtari, Tirana, Kastrioti dhe Kamza, pra 50 për qind e futbollit elitar në vend.

Në Kategorinë e Parë janë konkretisht nëntë skuadra me borxhe: Vllaznia, Lushnja, Turbina, Besa, Egnatia, Bylisi, Tomori, Apolonia dhe Elbasani. Shuma nuk bëhet e ditur, por sa më shumë vonohen pagesat, aq më shumë rëndohet gjendja financiare.

Pra, klubet me këtë gjendje që kanë nuk funksionojnë ligjërisht, por me metoda primitive, duke kryer evazion fiskal.

Kjo gjendje e klubeve shqiptare vjen si pasojë e një borxhi në këtë institucion apo institucione shtetërore. Kjo do të thotë se nga klubet nuk janë paguar sigurimet shoqërore, shëndetësore, TAP e me radhë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit, por edhe lojtarët e trajnerët si edhe punëtorët e tjerë.

Së pari, është për të ardhur keq që emrat më të vjetër dhe që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar janë degraduar në klube pa likuiditet financiar dhe me llogari të bllokuara dhe borxhe deri te gryka.

Së dyti dhe më kryesorja, secila prej skuadrave manovron me mënyra dytësore pagesash ose thënë shqip, “paguan në të zezë” për të mbijetuar financiarisht. Secila prej tyre nuk bën dot asnjë pagesë futbollisti, zyrtari apo trajneri në mënyrë ligjore.

Klubi nuk bën dot asnjë pagesë të sigurimeve shoqërore, shëndetësore apo nuk mund të marrë dhe paguajë asnjë lek në llogaritë e FSHF-së, shtetit, apo bashkitë të paguajnë kuotën e tyre të “sh.a”-ve, e që do të thotë, klubit i ka mbetur vetëm emri.

Së fundmi, kjo situatë bën që futbolli shqiptar të mos diskutojë asnjë plan zhvillimi, asnjë projekt investimi mbi të ardhmen, asnjë hap përmirësimi të cilësisë, por vetëm për mbijetesë, sepse klubet në Evropë zor se shkojnë me këtë mal borxhesh.