Situatë e rëndë me Covid19 në Kosovë – asnjë klub i Superligës nuk është testuar

Futboll 19 Tetor 2020 11:42

Në ditët e fundit në vendin tonë është përkeqësuar situata me koronavirus, duke u shkuar numri i të infektuarve brenda ditës mbi 100. Përkundër kësaj gjendje, sezoni i Superligës në futboll ka nisur pa u testuar asnjë klub, duke u rrezikuar shëndeti i futbolllistëve fillimisht e më pas edhe të familjeve të tyre, shkruan Insporti.com.

Për Federatën e Futbollit të Kosovës shëndeti dhe siguria e futbollistëve të Superligës është dytësor. Kjo u dëshmua me rastin kur Përfaqësuesja e Kosovës u testua për koronavirus për ndeshjet e tetorit, ndërsa ka lejuar fillimin e kampionatit pa bërë testimet.

Testimi i Përfaqësueses A ka qenë i detyruar nga UEFA, ndryshe nuk do të mund të zhvillonte ndeshjet.

Sezonin e kaluar ishin testuar të gjitha klubet, së bashku me gjyqtarët pas rinisjes së kampionatit.

Në fund të sezonit të kaluar në Superligën e Kosovës ishin paraqitur raste të shumta me koronavirus. Madje, disa klube kane fshehur rastet duke aktivizuar futbollistë të infektuar me koronavirus.

Përderisa në futboll nuk po bëhen testimet, në arsim janë duke u bërë testime të rregullta, të cilat me pak vullnet dhe përkushtim mund të bëhen edhe në futboll.

Sipas ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se deri më sot, 410 shkolla janë testuar për COVID– 19.

Zemaj ka njoftuar se brenda 24 orëve janë bërë 1.028 teste, prej tyre janë 148 raste pozitive ndërsa nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes nga COVID-19.

Në lidhje me këtë Insportin ka kontaktuar sekretarin e Federatës së Futbollit së Kosovës, Eroll Salihun, i cili ka deklaruar se në rast të rritjes së rasteve në vendin tonë, atëherë të gjitha klubet do të obligohen që të testohen.

Salihu po ashtu ka konfirmuar se deri më tani nga ana e FFK-së nuk aranzhuar asnjë testim për klubet, por sipas tij klubet kanë testuar futbollistët në mënyrë vetanake.

“Nëse do të shtohen rastet, ne do t’i obligojmë klubet që të testohen. Ne kemi Komisionet mjekësore në çdo ndeshje dhe në bazë të raporteve të tyre ne do të veprojmë. Deri më tani nuk i kemi obliguar, por në rast se përkeqësohet situata atëherë do t’i obligojmë klubet për t’u testuar”, ka deklaruar Eroll Salihu për Insportin.

Megjithatë, sipas burimeve të Insportit vetëm dy klube janë testuar dhe nuk janë të Superligës.

KF Liria dhe KF Flamurtari kanë kryer testet për koronavirus në prag të fillimit të sezonit.

Vlen të theksojmë, se kryetari i FFK-së, Agim Ademi për Insportin kishte deklaruar se nuk është duke u marrë me punën e virusit dhe testimeve të futbollistëve në fund të sezonit të kaluar.

Trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina, ka konfirmuar se deri më tani nuk pas asnjë zhvillim rreth testimeve të futbollistëve për koronavirus.

“Deri më tani nuk e kam asnjë informacion, ende nuk jam takuar me sekretarin e FFK-së, Eroll Salihun. Mendoj se është një situatë e lehtë që mund të kalohet, ne edhe sezonin e kaluar kemi pasur disa futbollistë të infektuar dhe nuk duhet ta bëjmë tragjike, duket se Federata ende nuk e ka paraparë që të bëhen testimet në këtë kohë”, ka deklaruar Batatina për Insportin.

Klubet e Superligës të cilat ishin pjesë e garave evropiane hasën në probleme të mëdh pikërisht për shkak të kësaj neglizhecës, duke mos u testuar në çdo javë.

KF Drita dhe KF Prishtina humben ndeshjet e tyre në tavolinë me rezultat zyrtar, për shkak të rasteve me koronavirus në skuadrat e tyre.

Mbrojtësi Fidan Gërbeshi dhe Hamdi Namani ishin izoluar në Nyon të Zvicrës, pas rezultimit pozitiv me koronavirus para ndeshjes kundër Linfield në kuadër të finales së rrethit parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndërsa, Prishtina udhëtoi dy herë në Gjibraltar, por nuk zhvilloi as edhe një sekond të vetëm për shkak të rasteve të shumta me koronavirus brenda skuadrës.

Superliga sezonin e kaluar ishte pezulluar për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë, ndërsa rifilloi më shtatë qershor.

Futbollistët e Superligës ishin testuar vetëm pasi futbollisti i Dritës, Izair Emini, rezultoi pozitiv me koronavirus.

Përveç futbollistëve, ishin testuar edhe gjyqtarët e Superligës duke rezultuar të gjithë negativ.

Vlen të theksojmë se në ndihmë të FFK-së dhe IKSHP-së, i ka dalur edhe presidenti i KF Prishtinës, Remzi Ejupi i cili ka sjellë rreth 15 mijë teste.

Ejupi me disa donatorë kishin deklaruar se këto teste në radhë të parë janë për qytetarët, por që mund të përdoren edhe për sportistët.

Ndryshe, sezonin e kaluar kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 Izair Emini (KF Drita), gjyqtari Ilir Mehmeti, Gentrit Begolli (KF Flamurtari), Imer Ademi (kryetar i Flamurtarit) dhe mirëmbajtësi i KF Vushtrrisë, Mërgim Halili.

Federata e Futbollit së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë hap rreth kësaj situate të krijuar, duke mos testuar futbollistët, kur është zhvilluar edhe xhiroja e gjashtë e këtij edicioni. /Insporti.com/

-->