Skandal, zyrtarët Komitetit Olimpik ndajnë 28 mijë dollarë

Tokio2020 29 Tetor 2019 19:39

Presidenti i KOKSH (Komiteti Olimpik Shqiptar), Viron Bezhani, i ka shpallur “luftë” sekretarit Stavri Bello, ndërsa ka dorëzuar në Prokurori edhe materialin e dokumentet ku janë bërë shkelje ekonomike dhe të pikave që parashikon statuti. Gjithçka është në llupën e shqyrtimit, teksa i ftuar në studion e emisionit “Pressing” në ABC News, Bezhani foli për abuzimet financiare, duke përmendur edhe shifra konkrete. “Doja të thosha se kjo nuk është diçka personale. Kjo është diçka institucionale. Prandaj jam munduar gjithmonë të jem i drejtë në institucionin që drejtoj”.

“Në mbledhjen e fundit, vura re që diçka nuk shkonte. Që nga ky moment, fillova të bëj verifikimet. Pasi bëra disa verifikime, kuptova që mbledhjen e bëmë kot. Duhet të merrnim një masë për të ndaluar këto fenomene. Duke verifikuar dokumente të tjera, pashë që ka dhe abuzime financiare. Katër veta janë sportistë, katër punëtore të administratës. Për mua ka rëndësi të zbatohet statuti. Çdo gjë bëhet me vendim”.

“A më kanë larguar anëtarët e komitetit dhe sekretari? Shaka e tyre! Vetëm Asambleja mund të më largojë. Ajo që më bën mua më tepër të shqetësuar, është se ata e kanë mendjen tek interesat vetjake, jo për të zhvilluar sportin. Marrim rastin konkret: Kanë marrë vendim në komitet që ne me gjashtë vota jemi pro dhe nuk japim asnjë dokument”.

“Komiteti Ekzekutiv nuk i vendos letrat në sistem. Krimi ekonomik i detyroi të paraqesin disa dokumente. Është me të vërtetë për t’u habitur. Edhe unë kam përgjegjësi, por nuk rri pa e nxjerrë të vërtetën. Në asnjë institucion, nuk mund të funksionojë që rroga e sekretarit të merret me tre muaj e gjysmë jashtë shtetit”.

“Unë nuk mund të them sa janë ndarë, pasi vetëm në një dorë, janë ndarë 28 mijë dollarë. Jo, nuk i janë dhënë sportit. Nëse ne jemi për t’i shërbyer sportit, duhet një rregull. Kush mungon? Dokumentet për të ndarë lekët. Për të ndarë lekët më përpara, nuk mund të kalohej 4 milionë dollarëshi. Këta sa kanë ardhur, kanë marrë një vendim sipas së cilit mund të jepen pa limit. Kjo do të thotë se ato pak lekë që ke, t’i marrin dy-tre Federata, ndërsa tjerat asnjë.

“Jam dakord që t’i marrin Federatat, por jo në atë mënyrë. Këto lekë, jepen edhe për të marrë pjesë në Olimpiadë”.

“Çështja ka shkuar në Prokurori. Kam kërkuar që të vlerësohen futbollistët cilësorë. Kur sportistët marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, nuk marrin dietë. A është normale të mos marrin 30 euro? Asnjë lekë, nuk i kanë dhënë lekë, një mundësi që ka dalë në vend të parë. Kam bërë kërkesë vetë që të marrë 2 milionë lekë të vjetra. Ata nuk denjuan që t’i japin lekë, pasi thoshin që do ia jepnin vitin tjetër e me radhë”.

“E pranoj dhe e them me gojën plot se ashtu ka qenë. Ditën e parë që kam fituar si president, të gjithë e dinë që Bello ka qenë kundër meje, e ka deklaruar edhe hapur. Megjithatë, unë ditën e parë që jam bërë president, e kam vënë sekretar. Ka eksperiencë dhe kam menduar se ishte i duhuri, pasi ne jemi për sportin, por kurrë nuk e mendoja se do të bëhen këto skena”.

“Jam i detyruar të thërras edhe dy herë Komitetin, nëse sërish vazhdon kështu, do të mblidhet Asambleja e Jashtëzakonshme. Me ndërkombëtaret, isha para dy javësh në Doah. Njoftova edhe presidentin e Evropës, pasi është një situatë jo normale. Unë kam bllokuar firmën e Bellos. Ai nuk do të ketë asnjë të drejtë të bëjë asgjë, deri të rregullohet kjo situatë”.

“Te drejtësia kam besim, pasi këtu ka disa thyerje. Më habit fakti se ka një besim të jashtëzakonshëm nga personat që kanë në shkelur rregullat”.

“Komiteti ka vendosur për të shpërblyer dikë me 500 mijë euro. Shkoj në bankë, shoh 700 mijë lekë të vjetra. Pra, këta nuk duan t’ia dinë fare për asnjë lloj ligji. Unë jam i bindur se ata nuk do të shpëtojnë. Do të vonojë, por nuk do të harrojë. Do të kërkoj zgjedhje të reja, se s’bën. Vetëm presidenti ka të drejtë ta vendosë këtë gjë”.

“Për herë të parë, pas kërkesës time, është bërë audit. Këtë radhë, kam bërë një sforco të madhe dhe është e habitshme. Është i vetmi institucion që është hapur auditi në 2017-ën në mars dhe është mbyllur në tetor. Janë gjëra që unë nuk i merrja vesh. Në momentin që unë dyshoj, futem dhe kontrolloj. Kam një vit e gjysmë që kam filluar të bëj kërkime. Pas disa ditësh, do të jap dhe arsyen pse këta gjashtë persona, e mbrojnë këtë njeri”, përfundoi Bezhani.

-->