SKANDAL: Futbollistët e Serbisë veshin fanellë me këngën nacionaliste “Flamuri serb të valojë nga Prizreni në Rumija”

Futboll 15 Nëntor 2021 10:44

Kombëtarja e Serbisë ka arritur të kualifikohet direkt në Kampionatin Botëror “Katar2022”, pas fitores së mbrëmshme kundër Portugalisë me rezultat 1:2. Fitorja dramatike në Lisbonë i vendosi në pozitën e parë të grupit A, pozitë e cila i dërgon në direkt në “Katar2022”, shkruan Insporti.com.

Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët serbë nuk harruan të provokojnë duke veshur fanella zyrtare të Federatës të Futbollit të Serbisë, që mbi to shkruhej kënga nacionaliste serbe “Flamuri serb të valojë nga Prizreni në Rumija” dhe duke ngritur tre gishtat në ajër.

Në këtë fotografi janë Filip Kostic, Stefan Mitrovic dhe Dusan Vlahovic.

Mbetet të shihet veprimi i FIFA-s pas këtij skandali të madh në Lisbonë.

Shtëpia e futbollit botëror në vitin 2018 kishte vepruar dhe dënuar futbollistët shqiptarë të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhakën.

Shaqiri dhe Xhaka pas ndeshjes me Serbinë në botërorin “Rusia2018” kishin festuar me simbolin e shqiponjës. Ky festim i tyre ngjalli reagime të mëdha, në veçanti nga mediet serbe të cilat nxiten një veprim të FIFA-s.

FIFA dhe Federata e Futbollit të Zvicrës futbollistëve shqiptarë ua ndaloi simbolet shqiptare pas asaj ndeshje.

Po ashtu, Serbia është ndihmuar indirekt nga FIFA në kualifikimin për në “Katar2022”, pasi në ndeshjen e parë ndërmjet Serbisë dhe Portugalisë, e zhvilluar në Beograd është dëmtuar rëndë kombëtarja portugeze.

Në atë ndeshje sistemi VAR nuk është përdorur fare dhe për shkak të mungeses të VAR, iu mohua goli i fitores portugezëve, pasi gjyqtarët e ndeshjes nuk pranuan golin e Cristiano Ronaldos. /Insporti.com/

-->