Skandal i Dukës me të Drejtën TV, ndërpret transmetimin se nuk do që të paguajë para nga kompania e tij private

Futboll 15 Qershor 2020 08:57

A mund të kenë fund skandalet në Federatën Shqiptare të Futbollit?! Me sa duket, është e vështirë. “Topin e kam unë dhe penalltinë e gjuaj vetë”, është një slogan filmi, që me sa duket presidenti Duka e ka konsideruar si “proverb” dhe po e vë në zbatim.

Ditën e sotme, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se do i heqë kompanisë “Digitalb”, të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore, pra javën e 29-të të këtij kompeticioni.

Një veprim, që në fakt, ngre shumë dyshime për funksionimin dhe shkeljet e bëra deri më tani. Sipas FSHF-së, “Digitalb” ka kohë që nuk respekton kushtet e pagesave të parashikuar në kontratë.

 Fakt, që po e marrim të mirëqenë, por më shumë se sa kjo mungesë korrektësie, ka shumë probleme që duhen ngritur me këtë rast.

1. Së pari, Armand Duka, presidenti i FSHF-së, është njëkohësisht edhe aksioner në kompaninë “Digitalb”. Pra, vetë presidenti i Federatës, nuk është duke i plotësuar kushtet kontraktuale ndaj organizatës sportive që udhëheq. Ky konflikt interesi është parë si shkelje edhe nga vendimi i Autoritet të Konkurrencës vetëm pak kohë më parë.

Si rrjedhojë, kemi të bëjmë me një strategji shumë më të rëndë, për sa kohë që në komunikimin për shtyp thuhet se “Federata do marrë përsipër kostot e transmetimit të ndeshjeve në faqen e saj zyrtare”. Pra, Duka ka vendosur që të mos paguajë para nga biznesi ku është vetë aksioner dhe transmetimin e ndeshjeve ta mbulojë me paratë e Federatës, ku fondet e saj janë praktikisht në pronësinë e të gjitha klubeve anëtare. Një taktikë “babëzitëse”, se si të kursesh para nga biznesi (i cili thuhet se dilte me humbje me transmetimin e Superiores) dhe faturën t’ia vendosësh vetë klubeve, menjëherë pas COVID 19.

2. Së dyti, në komunikatën e Federatës thuhet se kemi të bëjmë me borxhe të akumuluara. Atëherë, si është e mundur që FSHF vendosi t’i japë jo për një, por për plot 4 vite të drejtën e transmetimit një subjekti që ka pasur edhe në të shkuarën probleme me pagesat. SI është e mundur që është bërë ky vazhdim bashkëpunimi, pa u shlyer detyrimet vit pas viti?! Dhe si është e mundur që u zgjodh ndërprerja, pa u mbyllur kampionati, në një periudhë të vështirë financiare për të gjitha bizneset?! A kemi të bëjmë me një strategji, për të përfituar më shumë nga financat që nuk janë të vetë presidentit të FSHF?!

3. Së treti, a kemi të bëjmë me një konflikt mes ortakëve të “Digitalb” (edhe gjyqësore) dhe me pushtetin që klubet e futbollit i kanë dhënë Dukës, duke e zgjedhur Presdident, ai po e shfrytëzon këtë pozicion për biznesin e tij ku është aksioner (Digitalb)?! Si është e mundur që u bë ky problem, në një moment, ku thuhet se brenda kompanisë që ka të drejtën e transmetimit ekzistojnë mosmarrëveshje dhe ka ndikuar edhe në aspektin financiar të saj?!

Heqja e transmetimit pa u mbyllur sezoni dhe faturimi i kësaj të drejte, nga vetë arkat e klubeve të futbollit, kemi të bëjmë me ngjarje të paprecedëntë, ku pritet që të ketë patjetër zhvillime civile apo gjyqësore, pasi sërish po shpërdorohen paratë e destinuara për zhvillimin e futbollit, për të ndihmuar arkën e bizneseve personale të kreut të Federatës…/vipsport.al/

-->