Skandal në ndeshjen e Europa League, sulmohet gjyqtari pas përleshjes mes lojtarëve

Futboll 02 Gusht 2019 15:24

Duhet të ishte një ndeshje futbolli në Ligën e Evropës, por sfida mes Universitatea Craiova dhe Budapest Honved u kthye në një arenë përleshjesh, teksa pjesë e tyre u bë edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka.

Përballja e kthimit në turin e dytë eliminator u ndërpre për më shumë se 20 minuta, në limitet e shtesës.

Koha e rregullt u mbyll pa gola, ndërsa kur po mbylleshin 30 minutat e vazhdimeve futbollistët e dy skuadrave u përfshinë në një sherr masiv.

Në përpjekje për të shuar tensionin ndërhyri edhe gjyqtari nga Irlanda e Veriut, Arnold Hunter që u godit nga një kapsollë e hedhur në fushë nga tifozët.

Gjyqtari u detyrua të marrë ndihmë mjekësore, përpara se të riniste ndeshjen, që do të vendosej pas goditjeve të 11-metërshave.

Skuadra rumune siguroi kualifikimin, pasi lojtarët e saj u treguan më të saktë nga pika e penalltisë. UEFA tashmë ka nisur një hetim disiplinor dhe me shumë mundësi, Universitatea Craiova mund të humbasë ndeshjen në tavolinë dhe të eliminohet nga Liga e Evropës.