Skandali i Agim Ademit, reagon Remzi Ejupi

Futboll 30 Dhjetor 2020 12:01

Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që Kuvendin e Punës, që është dashur të mbahet më 20 dhjetor, ta anulojë për këtë vit dhe ta shtyjë për vitin e ardhshëm. Vendimin e mori Komiteti Ekzekutiv i federatës më të madhe sportive në vend, me arsyetimin e situatës me pandeminë (Covid19) në vendin tonë. Megjithatë, FBK, FHK dhe KOK-u zhvilluan Kuvendet e tyre duke respektuar masat e pandemisë, përkundër vështirësive të mëdha, shkruan Insporti.com.

Vendimi i FFK-së për ta anuluar Kuvendin e Punës për vitin e ardhshëm, kaloi disi në heshtje nga “ish-kundërshtarët” e FFK-së, që tashmë janë shndërruar në bashkëpunëtorë të tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga FFK-ja, për këtë vendim është konsultuar edhe UEFA, por që nuk kanë treguar ndonjë dokument nëse është kontaktuar për këtë vendim.

“KE vendosi që të shtyjë Kuvendin e Punës, i cili ishte paralajmëruar për 20 dhjetor. Një vendim i tillë u mor në koordinim me UEFA-n për shkak të situatës me pandeminë si dhe për faktin se FFK është në proces të digjitalizimit dhe platforma online ende nuk është e gatshme. Kësisoj, Kuvendi i Punës do të mbahet në vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Insporti ka kontaktuar presidentin e klubit më të madh në Kosovë, KF Prishtinës, Remzi Ejupin, i cili ka kritikuar vendimin për ta anuluar Kuvendin e Punës.

 “Kuvendi i Punës duhet të mbahet për çdo vjet, pastaj Kuvendi i rregullt, aty janë krejt të parregullt edhe mënyra se si janë zgjedhur në pozita, janë një grup të cilët e kanë ngulfatur, uzurpuar Federatën e Futbollit të Kosovës. Kjo është Kosovë, edhe këtu mund të ndodhë gjithçka. Unë mendoj që është një federatë e privatizuar edhe aty marrin vendime në krye veti, tash e 20 vjet i njëjti grup i cili sillet rrotull, për interesa e tyre personale komplet aty, për shkak se e kanë gjetur një komunitet sporti jashtëzakonisht të lodhur dhe në gjumë”, ka deklaruar Ejupi për Insporitn.

Ngufatja dhe uzurpimi i FFK-së

Presidenti Ejupi pretendon se në Federatën e Futbollit të Kosovës ka keqpërdorime të mëdha financiare dhe se grupi i cili ka uzurpuar FFK-në ka blerë paqen e disa klubeve.

 “Për arsye se janë që 30 vjet njerëzit, janë duke u harxhuar, shpenzuar, për të arritur deri këtu. Tani, kur ka ardhur koha që të kenë të hyra financiare nga jashtë, shumica e klubeve pretendojnë dhe mendojnë se aty ka keqpërdorime jashtëzakonisht të mëdha dhe për t’i mbuluar keqpërdorimet, natyrisht se mundohen t’i mbajnë sa më të mbyllura, ndonjëherë edhe duke e blerë paqen. Disa klube të cilat janë në gjendje të vështirë financiare, këta (FFK) mundohen që të blejnë heshtjen e tyre”, shtoi numri një i Prishtinës.

Sipas Ejupit, nuk janë vetëm keqpërdorimet financiare që është dashur të shqyrtohen në Kuvendin e Punës, por ka dyshime edhe për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.

Ai mendon se humbja me Maqedoninë e Veriut i ka kushtuar FFK-së me 15 milionë euro, të cilat do t’i inkasonte në rast të fitores.

Po ashtu, përmend edhe infektimin e përzgjedhësit Bernard Challandes dhe humbjen me Slloveninë.

“Është dashur të mbahet Kuvendi, ka keqpërdorime shumë të mëdha. Shume herë kemi kërkuar që të bëhet një auditim nga jashtë, të pavarur, por jo auditim që e bëjnë ata sipas dëshirës së tyre, thirren se është një auditim i rregullt, por nuk është ashtu. Është një injorancë totale aty brenda. Është një pjesë, një strukturë që punon për interesa personale, kështu që lë shumë për të dëshiruar. Si humbja e Përfaqësueses së Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, me atë humbje ne kemi humbur 15 milionë euro. Lë për të dyshuar pse futbollistët nuk arritën të grumbullohen, pse në momentin kyç u infektua përzgjedhësi Bernard Challandes, besoj që nuk ka pranuar të jetë pjesa e ndeshjeve. Shumë ka dyshime të mëdha se si është humbur edhe ndeshja me Slloveninë, lë dyshime në bastore.

Organizimi i klubeve për të ndryshuar situatën në FFK

Numri një i Prishtinës, Remzi Ejupi po ashtu ka përmendur edhe organizimin e disa klubeve, të cilat janë të lodhura me këtë situatë që është krijuar, për arsye se në krye të FFK-së qëndrojnë njerëzit e njëjtë tash e 20 vjet.

Ky grup sipas tij, dëshiron çdo gjë të kalojë në duart e tyre, që të kontrollojnë gjyqtarët dhe të caktojnë kampionin e ligës, në vend që të krijojnë politika zhvillimore.

“Do të vazhdojnë me keqpërdorime, deri sa ne nuk mund ta ndryshojmë këtë shoqëri. Nuk është futbolli jashtë saj, i takon kësaj shoqërie. Futbolli është i lënë pak jashtë, por besoj që shumë shpejtë do të marrim masa me klube dhe të organizohemi, që të kemi ndryshime, njerëzit kanë investuar shumë pa pasur ndryshime. Jemi të lodhur duke investuar dhe pa pasur ndryshime, jemi pa perspektivë. Njerëzit e kanë ngufatur ligën, dëshirojnë t’i kontrollojnë gjyqtarët, nuk është punë e tyre kjo. Punë e FFK-së është të bëjë politika zhvillimore, të përcjellë implementimin e tyre, me përcjellë Përfaqësuesen e Kosovës dhe asgjë më shumë, e jo të mendojnë se kë ta bëjnë kampion të ligës”.

Ndryshe nga Federata e Futbollit të Kosovës, kanë vepruar Federata e Baskebollit të Kosovës, Federata e Hendbollit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu vendosi që të mos anulojë Kuvendin Zgjedhor për vitin e ardhshëm përkundër situatës me pandemi.

Bordi i FBK-së më tre dhjetor vendoste që Kuvendi Zgjedhor të mbahej më 18 dhjetor.

Kuvendi Zgjedhor i Rregullt i FBK-së u zhvillua në një nga hotelet në kryeqytet. Në atë Kuvend, Arben Fetahu ishte i vetmi kandidant për Kryetar të FBK-së, duke u zgjedhur edhe për katë vite të tjera.

“Për shkak të masave anti-Covid në atë Kuvend ishin të lejuar vetëm 50 persona të jenë në sallë, ku 39 janë delegatë. Për këtë arsye edhe numri i pjesëmarrësve është i limituar dhe Kuvendi do të jetë i mbyllur për media”, thuhej në njoftimin e FBK-së.

Ndërsa, Federata e Hendbollit të Kosovës Kuvendin Zgjedhor do ta mbajë më 6 shkurt duke respektuar masat e pandemisë.

Po ashtu, Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Punës për vitin 2019 më 27 dhjetor, e cila ishte shtyrë dy herë shkaku i pandemisë Covid 19.

Këto federata i kanë treguar krerëve të FFK-së se si mund të zhvillohen Kuvendet edhe në pandemi, por duket se vullneti i tyre ishte ndryshe për arsye të ndryshme. /Insporti.com/

-->