Skandaloze: Pas intervistës në Insporti, FFK-ja e Agim Ademit dënon Remzi Ejupin

Futboll 14 Janar 2021 00:23

Kryetari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, është dënuar me një vit mos kryerje të detyrës në klubin bardh e kaltër nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kjo erdhi për shkak të disa akuzave në drejtim të FFK-së që Ejupi i bëri në një intervistë dhënë për Insport. Kështu Komisionin Disiplinor të hapë fillimisht procedurë disiplinore, e pastaj ta dënojë atë.

Ejupi ka akuzuar krerët e  Federatës e Futbollit të Kosovës se për interesa personale kanë ngufatur e uzurpuar FFK-në.

““Është dashur të mbahet Kuvendi, ka keqpërdorime shumë të mëdha. Shume herë kemi kërkuar që të bëhet një auditim nga jashtë, të pavarur, por jo auditim që e bëjnë ata sipas dëshirës së tyre, thirren se është një auditim i rregullt, por nuk është ashtu. Është një injorancë totale aty brenda. Është një pjesë, një strukturë që punon për interesa personale, kështu që lë shumë për të dëshiruar. Si humbja e Përfaqësueses së Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, me atë humbje ne kemi humbur 15 milionë euro. Lë për të dyshuar pse futbollistët nuk arritën të grumbullohen, pse në momentin kyç u infektua përzgjedhësi Bernard Challandes, besoj që nuk ka pranuar të jetë pjesa e ndeshjeve. Shumë ka dyshime të mëdha se si është humbur edhe ndeshja me Slloveninë, lë dyshime në bastore”, kishte deklaruar Ejupi për Insportin.

Pas kësaj interviste të numrit një të Prishtinës, FFK-ja kishte hapur procedurë disiplinore, ndërsa sot kanë dënuar me një vit.

Ejupi në intervistë kishte kritikuar punën e drejtuesve së Federatës së Futbollit të Kosovës në 20 vjetët e fundit.

Kjo është hera e parë që Ejupi dënohet nga FFK prej gjithe viteve prejse është inkuadruar në futbollin kosovar si investitor, respektivisht si aksionar i klubit më të madh kosovar. Emri i tij prej vitesh është përmendur si një kandidat i mundshëm edhe për kryetar të FFK-së./Insporti.com/

Në njoftimin i plote i FFK-së:

V E N D I M

REMZI  EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA  nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj  dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për ; 1 (një)  vit .

A r s y e t i m

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në rastin e shqyrtimit të rastit për bazë pati të gjitha shkrimet e publikuara  si dhe incizimet televizive të transmetuara në; Insport.com (gazetë online) nga ana e kryetarit  të FC Prishtina, z. Remzi Ejupi i cili shpif dhe përhap të pavërteta për Federatën e Futbollit të Kosovës në pretendimet e tij të cituara përmes fjalëve; “skandali“ “keqpërdorimet”, “privatizimi“ , “grup njerëzish”, “infektimi i përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë” dhe “dyshimet në bastore” e të tjera, për të cilat z. Remzi Ejupi ishte i obliguar që në kohën e përcaktuar nga ana e Komisionit të sjellë fakte dhe të sigurojë prova për të gjitha këto të thëna, por  një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj komisioni disiplinor i shkallës së parë duke respektuar Dispozitat e Rregullores disiplinore;  neni 61 Paragrafi 1 pika b; sjellë vendimin e lartshënuar për dënimin e z. Remzi Ejupi kryetar i FC Prishtina  me ndalesë për kryerjen e të gjitha  funksioneve zyrtare në klub në kohëzgjatje për; 1 (një) vit  në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës.

KËSHILLA  JURIDIKE

Pala e pa kënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komisionit disiplinor të shkallës së dytë; komisionit për ankesa në afatin kohor prej 8 (tetë) ditëve nga data e sjelljes së vendimit, respektivisht pranimit të tij. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

Prishtinë, datë 13.01.2021

Komisioni disiplinor; shkalla e parë, kryetari  Met  Çeku.

-->