Skandaloze – Shikoni në çfarë kushte punohet në “Minatori”

Superliga 07 Gusht 2019 22:46

Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë vazhdohet të punohet në kushte aspak të përshtatshme, që përveç se ua vështirëson punën, e bën atë edhe një vend të rrezikshëm për gazetarët.

Insporti ka siguruar pamjet nga ndeshja e sotme në Mitrovicë, ku Kosova e Britania e Madhe e zhvilluan ndeshjen e tyre parakualifikuese.

Kosova e Britania e Madhe u takuan sonte në Mitrovicë në kuadër të fazës parakualifikuese për “EuroBasket 2021”, e ku ashtu si para më shumë se një viti, kushtet për gazetarët në këtë palestër nuk janë përmirësuar.

Në shkurt të vitit të kaluar, Insporti pati raportuar për rrezikshmërinë që kanë gazetarët kur atyre u duhet të ngjiten me shkallë në lartësi disa metërshe, në “ballkonin” ku nuk ka ndonjë konstruksion mbrojtës.

Kameramanët gjatë ndeshjes, përveç se rrezikohen e kanë të vështirë edhe lëvizjen për shkak të hapësirave të ngushta, derisa zyrtarët e palestrës kishin pohuar se janë në dijeni të këtij problemi, por që nuk kanë pasur mundësi që të intervenojnë në këtë pjesë të sallës.

Për më shumë, pamjet e siguruara nga Insporti që janë tregues i kushteve në këtë palestër flasin vetë. /Insporti.com/