‘Skifterat’ i mposhtën ‘Intelektualët’ në tribuna – gjesti i shkëlqyeshëm pas derbit

Futboll 08 Prill 2019 17:43

Derbi i shumëpritur në futbollin e Kosovës, përfundoi me rezultatin më të padëshiruar për tifozët.

Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ mbrëmë, Gjilani e Drita u ndanë baraz pa gola në derbin e qytetit të Gjilanit, shkruan Insporti

Pritshmëritë për këtë ndeshje, ashtu si për çdo derbi ishin të mëdha, por të dyja ekipet zhgënjyen me atë që treguan në fushë dhe me cilësinë e lojës.

Në fakt, dy momentet më kulmore ishin dy kartonët e kuq, me të cilët u ndëshkuan të dyja skuadrat në pjesën e parë.

Por, përkundër faktit se nuk pati fitues në fushën e lojës, njëra prej tifozerive ishte ‘triumfuese’ në këtë duel.

Bëhet fjalë për tifo grupin e Gjilanit, ‘Skifterat’, të cilët bënë një veprim shembullor pasi gjyqtari sinjalizoi për fundin e ndeshjes.

Ata u përkujdesën që pas ndeshjes të pastrojnë shkallët e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, gjegjësisht tribunën e veriut, aty ku ishin të pozicionuar për këtë takim.

Më poshtë keni pamjet e siguruara nga Insporti, ku shihet se ‘Skifterat’ kanë pastruar shkallët në tribunën veriore të stadiumit. /Insporti.com/