Skuadra e madhe “thyen” karantinën, nesër rifillon stërvitjet

Futboll 29 Mars 2020 22:23

Pavarësisht krizës së koronavirusit, Borussia Dortmund nesër nis stërvitjet.

Për të shmangur çdo rrezik në lidhje me përhapjen e Koronavirus, futbollistët që drejtohen nga Lucien Favre do të ushtrohen në grupe të vogla (nga dy), duke punuar në aspektin fizik.

“Është një fillim”, – tha ish-lojtari i Juventusit, Emre Can, për Sport1. Emre Can është lojtar i Dortmundit që nga janari, kur la ‘Zonjën e Vjetër’, pasi nuk arriti ta gjejë vetën në Itali.

“Në dy javët e fundit ne kemi qenë të detyruar të punojmë me biçikleta shtëpie, stërvitje në pesha dhe gjimnastikë. Do të dëshiroja të rinisnim kampionatin brenda disa ditësh, por e di që është akoma larg dhe se është e nevojshme të jesh i durueshëm”.

“Puna në grupe të vogla do të na bëjë mirë në ditët në vijim. Nëse qëndrojmë të fortë së bashku, do ta kalojmë këtë periudhë të vështirë dhe gjërat do të përmirësohen”, shtoi ish-lojtari i Juventusit.

Sido që të jetë, derisa në Bundesliga tashmë duket se do t’i rikthehet dalëngadalë normalitetit, në Spanjë dhe Itali ende janë larg rinisja e stërvitjeve pasi çdo ditë vdesin mbi 500 njerëz dhe pandemia është përhapur shumë.

Mbi 10 mijë deri më tani kanë vdekur në Itali, janë infektuar afër 100 mijë. Kurse në Spanjë nga COVID-19 kanë ndërruar jetë 6.528 persona, janë infektuar 78.797.

-->