Skuadra e vendit të katërt në Angli, mund të mbetet pa Champions

Futboll 01 Maj 2018 14:27

Vetëm edhe pak ka mbetur deri në përfundimin e sezonit në Premier League dhe lufta për pozitën e katërt, do të zhvillohet deri në fund në mes Tottenham dhe Chelseat, përkundër që “Spurs” janë momentalisht para “Bluve” me pesë pikë më shumë, por të dyja i kanë edhe nga tri ndeshje për t’i zhvilluar.

Mirëpo, ekziston një skenar, ku cilado që përfundon në vendin e katërt mund të mos jetë pjesë e Champions League sezonin e ardhshëm.

Në rast se të dyja skuadrat londineze (Tottenham dhe Chelsea), përfundojnë sipër Liverpool, që momentalisht është e treta, por me vetëm një pikë larg Spurs, nuk do të thotë se do të ishin të dyja apo qoftë edhe njëra në Ligën e Kampionëve.

Kjo pasi, në qoftë se Liverpool arrin të triumfoj në Champions League dhe Arsenal në Europa League, atëherë Premier League do të kishte 5 ose edhe 6 skuadra të kualifikuara për Champions në sezonin tjetër.

Mirëpo, rregullorja e UEFA-s i lejon një federate që të dërgojë jo më shumë se 5 klube në Champions, çka do të thotë se vendi i 4-të i Premier League, do të jetë i detyruar që të luajë në Europa League. Një skenar i tillë është shumë i vështirë që të ndodhë, pasi duhet të përshtaten disa kombinime, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. /Insporti.com

-->