Slovan Bratislava mposht Feronikelin, fati i kampionit të Kosovës vendoset në Prishtinë

Futboll 24 Korrik 2019 20:02

Slovan Bratislava fitoi ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës kundër Feronikelit, me rezultat 2:1.

Golat për skuadrën vendase i shënuan Nono (9’) dhe Sporar (61’), ndërsa golin tejet të rëndësishëm për kampionët e Kosovës e shënoi Mendurim Hoti në minutën e 67-të.

Pjesën e parë më mirë e nisën sllovakët duke dominuar lehtësisht ndeshjen, por pa krijuar ndonjë rast konkret falë organizimit të mirë të “Xehtarëve”.

Megjithatë, në minutën e nëntë akordohet një goditje dënimi për Slovan Bratislavën pas një ndërhyrje të Albert Dabiqajt, të cilën spanjolli Nono e konkretizon me gol.

Në vazhdim, të dyja skuadrat kishin rastet e tyre, por pjesa e parë u mbyll me rezultat minimal 1:0.

Pjesa e dytë nisi me ritëm të njejtë, ku të dyja skuadrat tentonin ta gjenin golin.

Në minutën e 60-të, gjyqtari Papadopoulos akordoi penallti të dyshimtë pas ndërhyrjes së Lapidar Lladrovcit në Sporar, i cili arriti ta mposhtë portierin Florjan Smakiqi nga pika e bardhë.

Tutje, Feronikeli nuk u dorëzua derisa gjeti golin e parë në minutën e 67-të, përcjell zëri.info.

Pas një harkimi nga Yll Hoxha, Mendurim Hoti arriti të shënojë golin e shpresës, derisa me rezultat 2:1 u mbyll ndeshja e sotme.

Ndeshja e kthimit në Prishtinë zhvillohet pas një jave, ndërkaq ‘Niklit’ i duhet fitorja 1:0 për të kaluar tutje.

-->