Sokoli komenton incidentin në Gjilan: Dëshmi që diçka nuk funksionon

Trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli ka komentuar zhvillimet e ndeshjes Gjilani – Prishtina, pas të cilës ndodhën disa incidente të turpshme. Sokoli për Insportin ka deklaruar se këso skena nuk dëshiron të shohë në elitën e futbollit tonë.
Sokoli është shprehur i zhgënjyer dhe këto zhvillime janë dëshmi që diçka nuk funksionon tek ne.“Në futbollin tonë nuk kam dëshirë të shoh skena të tilla, kjo është dëshmi që diçka nuk funksionon tek ne”.
Derbi Gjilani – Prishtina përfundoi me fitoren e vendësve me rezultat 2:1, por pas ndeshjes shpëtheu incidenti më i madh në futbollin tonë në vitet e fundit kur Policia e Kosovës reagoi ashpër ndaj trajnerit të Prishtinës, Armend Dallkut duke e spërkatur me sprej lotsjellës.
Dallku së bashku me disa futbollistë kërkuan sqarime nga gjyqtarët e ndeshjes Kreshnik Vula (kryesori) dhe Edmon Zeqiri (anësori) për vendimin e tyre për ta ndëshkuar me kartonë të kuq portierin Visar Bekaj, pas një dueli me Gerhard Prognin e Gjilanit.
I lënduar nga ky incident ka mbetur edhe mesfushori i Prishtinës, Lorik Boshnjaku i cili pas ndeshjes është dërguar me urgjencë në spital.
Prishtina pas ndeshjes nëpërmjet faqes zyrtare njoftoi se me shumë gjasë do të tërhiqen nga garat.
Në mbështetje të Prishtinës, tashmë kanë dalur disa klube të Superligës, si Ballkani dhe Llapi duke i dënuar sjelljet e Policisë së Kosovës.
Gjilani me këtë fitore renditet në pozitën e tretë me 58 pikë, ndërsa Prishtinë në të katërtën me 57 pikë. /Insporti.com/
