Solskjaer me deklaratë interesante para ndeshjeve me Barcelonën

Futboll 15 Mars 2019 17:23

Shorti i mesditës së sotme për Ligën e Kampionëve ka vënë përballë njëra-tjetrës, Manchester Unitedin dhe Barcelonën. Të dyja skuadrat do të kërkojnë kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa në të kaluarën kanë diskutuar dy finale, në të cilat katalanasit kanë triumfuar.

Megjithatë, trajneri i “Djajve të Kuq”, Ole Gunar Solskjaer shprehet se në klub të gjithë mezi presin të përballen me Barcelonën, pasi klubi jeton për këto ndeshje, ndërsa shtoi se do të  preferonte që ndeshjen e parë ta luante në shtëpi.

“I duam ndeshjet e këtij lloji, kundër skuadrave të mëdha. Kemi luajtur dy finale kundër tyre në 2009 dhe 2011, dhe një gjysmëfinale në 2008, këto janë ndeshjet që të gjithë tifozët duan, mezi po presim ditën e ndeshjes. Me shumë mundësi unë jam ndryshe nga pjesa tjetër e trajnerëve, sepse preferoj që ndeshjen e parë ta luaj në shtëpi dhe më pas në ndeshjen e dytë jashtë fushe të luaj për gjithçka, njësoj si me Parisin”, tha Solskjaer.