Son: Ja pse s’e festova golin ndaj Crvena Zvezdas

Futboll 07 Nëntor 2019 09:32

Ylli i Tottenham Son Heung-min ka thënë se i vjen shumë keq për ndërhyrjen e cila i kushtoi Andre Gomesit të Evertonit me një lëndim horror fundjavën e kaluar në Premierligë.

Përfaqësuesi i Koresë së Jugut u përjashtua nga loja me karton të kuq për shkak të ndërhyrjes ndaj mesfushorit të Evertonit, i cili e nxori nga vendi nyjën e këmbës si pasojë.

Gomes u operua dhe u lëshua nga spitali të martën, ndërsa Federata e Futbollit e Anglisë e shfuqizoi kartonin e kuq të Son dhe sulmuesi i Spurs nuk do të mungojë asnjë ndeshje si pasojë e pezullimit.

Son ishte ndier i shkatërruar duke e parë Gomesin tek vuante nga dhimbjet e dëmtimit të rëndë.

Edhe pse e udhëhoqi Tottenhamin drejt fitores kundër Crvena Zvezdës 4:0 duke i shënuar dy gola në Beograd të mërkurën, Son nuk festoi pro kërkoi falje në fushë për incidentin e së dielës.

“Nuk doja të festoja sepse doja ta respektoja gjithë situatën. Më vjen vërtet shumë keq për atë që ndodhi”, tha Son pas ndeshjes.

“Këto ditë kanë qenë të vështira dhe unë e kuptoj sa me fat jam. Njerëzit përreth meje, përkrahësit, klubi, trajnerët, lojtarët, bashkëlojtarët më kanë ndihmuar shumë dhe më kanë dërguar mesazhe të fuqishme”, shtoi ai.

“Natyrisht Andre Gomesit i uroj shërim të shpejtë”, theksoi Son.