Sonte dueli Rrahmani vs Ronaldo

Futboll 08 Shkurt 2020 11:56

Juventusi harroi shpejt disfatën me Napolin në “San Paolo”, teksa mundi në shtëpi ekipin e Fiorentinës dhe në pritje të derbit të Madoninnës kampionët në fuqi do të bëjnë çmos për të thelluar diferencën me zikaltërit e Interit, teksa do të përballen në Veneto me skuadrën e Veronës.

Takimi do të mbahet në mbrëmje në orën 20:45 në stadiumin “Bentegodi”, ku verdheblutë nuk munden që nga dueli me Romën, dy muaj më parë. Nën drejtimin e kroatit Ivan Juric Verona është përmirësuar ndjeshëm dhe forcën e këtij ekipi e provoi gjithashtu edhe skuadra e Lacios në mesjavë.

Bardhekaltërit kishin fituar plot 37 nga 39 pikët e mundshme në 13 javët e fundit të Serisë A dhe në mënyrë të kuptueshme përjashtim bënte vetëm barazimi në derbin e kryeqytetit me Romën, sidoqoftë një kontribut të jashtëzakonshëm kanë kapiteni i përfaqësueses dardane Amir Rrahmani si dhe mbrojtësi më i ri i kombëtares kuqezi Marash Kumbulla.

Kjo dyshe është bërë gati gati e pakalueshme, gjë që vërtetohet më së miri edhe nga vetë klasifikimi i Serisë A, sepse prapavija e verdhebluve është ndëshkuar me vetëm 23 gola gjithsej në 22 javë kampionat dhe më pak se klubi që deri tetë muaj më herët luante në Serinë B, gjatë kësaj periudhe kanë pësuar vetëm tre skuadrat kryesuese, Juventusi, Interi dhe Lazio.

-->