Sonte fokusohuni në MMA – ka luftë për titutllin që e pretendon Ilir Latifi

Sporte luftarake 07 Korrik 2018 21:26

Kampionati Botëror i Futbollit është ngjarja kryesore botërore në sport, por assesi e vetmja, përderisa nesër vëmendja do të jetë në Wimbledon dhe në garën për Shpërblimin e Madh të Britanisë së Madhe në Formula 1, sonte do të zhvillohet një mega ngjarje në MMA.

Fjala është duelin për titull të botës në kategorinë e rëndë, që zhvillohet në kuadër të ngjarjes UFC 226, që zhvillohet në Las Vegas.

Për titull bote duelojnë Stipe Miocic dhe Daniel Cormier, dy nga emrat më të njohur në sporteve luftarake, raporton Insporti.

Miocic (18-2 në MMA dhe 12-2 në UFC) është më komod në kategorinë e rëndë dhe mund të konsiderohet favorit, sepse Cormier, më herët ka qenë në kategorinë gjysmë të rëndë dhe vetëm për këtë luftë, besoni ose jo, i ka shtuar rreth 20kg dhe në matje ishte edhe më i rëndë sesa kundërshtari i tij.

Cormier është 39 vjeçar dhe ish kampion olimpik në mundje, mirëpo, njeri me karrierë të shkëlqyeshme edhe në MMA.

Miocic, amerikan me prejardhje kroate, është po ashtu ish mundës, tashmë 37 vjeçar dhe pikërisht stili i ngjashëm i luftës, qëndrueshmëria e madhe e luftëtarëve dhe fakti që kjo mund të jetë lufta e fundit që e zhvillojnë për titull bote, e bën sfidën e sontme edhe më të veçantë, raporton Insporti, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga web faqja zyrtare e UFC-së.

Përndryshe, një prej sfiduesve të mundshëm të fituesit të këtij meçi është edhe Ilir Latifi, i cili e zhvillon meçin e radhës këtë muaj dhe në rast të fitores, do të rangohej si një prej pretendentëve kryesorë.

-->