Sonte luhet ‘El Clasico’ – këto janë detajet

Futboll 01 Mars 2020 09:13

Pritjeve po i vjen fundi me “El Clasicon” që do të luhet sonte mes Real Madridit e Barcelonës.

Ky takim është i vlefshëm për xhiron e 26-të në La Liga e që luhet në ‘Santiago Bernabeu’.

Kjo klasike do të ketë rëndësi të madhe sa i përket lidershipit të tabelës, pasi fitorja e secilës skuadër do të ishte e barasvlershme me pozitën e parë.

Barcelona futet në këtë takim si lidere, me 55 pikë të grumbulluara nga 25 xhiro, kurse Real Madrid ka dy pikë më pak.

Në këtë derbi vëmendje merr edhe debutimi i Quique Setien në ‘Clasico’, i cili mori skuadrën në gjysmë-sezon.

Lionel Messi do të bëhet lojtari me më së shumti paraqitje në një ‘Clasico’, duke kaluar rekordin e shokut të skuadrës, Xavi Hernandez.

Për ‘Los Blancos’ në anën tjetër, ndeshja do të jetë jetike, pasi një humbje lehtë mund të thoshte edhe fundin e kampionatit, me Barcelonën që do të shkonte në +5 pikë.

Eliminimi nga Kupa e Mbretit dhe humbja e pësuar në Ligën e Kampionëve, shtuar edhe humbjen e mundshme kundër Barcës, do të ishin një ‘sezon i vrarë’ për skuadrën e Zinedine Zidane.

Përballja mes dy gjigantëve të futbollit evropian fillon sonte në ora 21:00.

-->