Sonte mundësia e fundit e Messit me shokë: Ky është skenari që e kualifikon tutje Argjentinën

Futboll 23 Qershor 2019 17:42

Kombëtarja e Argjentinës sonte luan për jetë a vdekje. Lionel Messit me shokë i duhet një fitore për t’u kualifikuar tutje në Kupën e Amerikës, në të kundërtën do të eliminohen të turpëruar.

Për Lionel Messin është ndoshta mundësia e fundit këtë vit që të marrë një trofe me ekipin e tij kombëtar. Argjentina dhe Katari takohen sonte në xhiron e fundit të Grupit B, xhiro që do të përcaktojë edhe fatin e këtij grupi.

Kombëtarja argjentinase e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme Kupën e Amerikës, ku pas dy ndeshjeve të zhvilluara ende nuk e ka arritur asnjë fitore, shkruan Insporti

Pasi pësuan humbje 2:0 në ndeshjen e parë ndaj Kolumbisë, dhe pas barazimit me Paraguajin në ndeshjen e dytë, ‘albicelestët’ tani e ndjejnë veten të rrezikuar, teksa ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur.

Deri tani në këtë kompeticion, Leo Messi e ka shënuar golin e vetëm të Argjentinës, dhe atë në barazimin kundër Paraguajit, nga penalltia.

Por a do t’ia dalë Argjentina të kalojë grupin?

Argjentina e përfundon sonte fazën e grupeve me ndeshjen ndaj nikoqirit të Botërorit 2022, Katarit.

Katari është e treta në grup (1 pikë, -1 golaverazh), derisa Argjentina është e katërta (1 pikë, -2 golaverazh).

Paraguaji, ndërkaq, janë të dytit me dy pikë, derisa liderja Kolumbia tashmë e ka siguruar plasmanin tutje, me dy fitore në po aq ndeshje.

Nëse Argjentina e mund Katarin…

Nëse ‘La Seleccion’ e mposhtin Katarin, siç edhe pritet të ndodhë, atëherë ata do të kualifikohen tutje nga faza e grupeve.

Nëse Argjentina barazon me Katarin…

Argjentina do të kualifikohej vetëm në rast se Paraguaji do të humbte me më shumë se dy gola ndaj Kolumbisë, dhe në rast se asnjë kombëtare e grupit C nuk e përfundon grupin me tri pikë.

Nëse Argjentina humb ndaj Katarit…

Humbja do të thotë se Argjentina nuk ka asnjë gjasë të kualifikohet, dhe Messi me shokë do të ktheheshin në shtëpi. /Insporti.com/