Sonte starton playoff-i në basketbollin e Kosovës

Superliga 25 Prill 2018 11:38

Me ballafaqimin e sotëm (e mërkure) në mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, do të nis faza e playoff-it në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Kjo ndeshje do të zhvillohet me fillim nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Kurse një ditë më vonë, të enjten, luhet gjysmëfinalja tjetër, ajo në mes Bashkimit dhe Rahovecit me fillim nga ora 19:30 në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren.

Gjysmëfinalet e playoff-it zhvillohen sipas formulës i 1-ri kundër të 4-it dhe i 2-ti kundër të 3-it. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin të shënojë 3 fitore, kurse gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 (dy ndeshje brenda, dy jashtë dhe e fundit brenda) dhe epërsinë e terrenit vendas e ka ekipi më lartë i plasuar gjatë edicionit të rregullt të sezonit.

Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore në finale, kurse finalja e playoff-it zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje.

Përparësinë e terrenit vendas e ka skuadra që ka qenë më mirë e ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjen e parë dhe të tretë dhe eventualisht në ndeshjen e pestë. /Insporti.com