Sot dy super përballje në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Londër

Futboll 25 Shkurt 2020 10:16

Liga e Kampionëve sonte vjen me dy super përballje.

Gara më elitare për klube në futboll do të vazhdojë edhe sonte me dy përballje mjaft interesante.

Në kuadër të fazës së 1/8-ës së finales, sonte zhvillohet takimi mjaft interesant në ‘Stamford Bridge’ mes Chelseat dhe Bayern Munich.

Bavarezët konsiderohen si favoritë për të kaluar tutje, por ashtu si në vitin 2012 – kur Chelsea e fitoi Ligën e Kampionëve kundër Bayernit në ‘Allianz Arena’ – gjithçka mbetet për t’u parë në fushë.

Blutë Londrës kanë qenë veçanërisht të dobët në shtëpi këtë sezon, pasi që i kanë siguruar vetëm pesë fitore në ligë deri më tani – rekordi më i dobët mes skuadrave në top pesëshe të Premierligës.

Në anën tjetër, Bayerni ka arritur t’i japë fund ecurisë së dobët me të cilën e kishte nisur sezonin. Tani gjermanët janë në formë të mirë, në krye të Bundesligës. Ata nisen për në Londër me shumë vetëbesim, duke qenë të vetëdijshëm për vështirësitë e kundërshtarit.

Ndeshja tjetër që luhet gjatë ditës së sotme është ajo mes Napolit dhe Barcelonës.

Kjo do të jetë një përballje mes dy skuadrave që s’kanë qenë në formë konstante gjatë sezonit. Napoli i ka pasur shumë probleme jashtë fushës së lojës, të cilët kanë ndikuar edhe në paraqitje dhe çuan deri te shkarkimi i Carlo Ancelottit.

Gennaro Gattuso e mori përsipër skuadrës dhe ka arritur ta përmirësojë skuadrën. Fitoret e fundit kundër Juventusit dhe Interit e dëshmojnë se ata janë në rrugën e duhur.

Të dyja takimet startojnë në orën 21:00.

-->